Krerët e inteligjencës gjermane paralajmërojnë rrezikun e spiunazhit rus dhe përgatitjet për konflikt ushtarak me NATO-n.
Bruno Kahl, kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Gjermanisë, gjatë raportimit në Parlament, tha se gatishmëria e Moskës për të përdorur masa hibride dhe të fshehta ka arritur një “nivel të paparë më parë”.
Ai shtoi se “konfrontimi i drejtpërdrejtë ushtarak me NATO-n është bërë opsion për Moskën”.
“Qëllimi i Kremlinit është të ndajë Perëndimin në mënyrë që të pengojë aftësinë e Europës për t’u mbrojtur duke forcuar ushtrinë ruse në përgatitje për një sulm të mundshëm”, u tha Kahl deputetëve gjermanë.
“Putini do të vazhdojë të testojë linjat e kuqe të Perëndimit dhe do të përshkallëzojë më tej konfrontimin,” tha ai.
“Forcat e armatosura ruse ndoshta do të jenë në një pozicion, në aspektin e personelit dhe materialit, për të nisur një sulm kundër NATO-s më së voni deri në fund të kësaj dekade”.
Qëllimi përfundimtar i Putinit sipas tij është “nxjerrë SHBA-në nga Europa” dhe të rivendosë kufijtë e NATO-s të fundit të viteve 1990, duke krijuar kështu një “sferë të ndikimit rus” dhe duke vendosur një “rend të ri botëror”.
Thomas Haldewang, kreu i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës – agjencia e brendshme e inteligjencës gjermane – tha se agjencia që drejton ka konstatuar “sjellje agresive nga shërbimet e inteligjencës ruse” dhe se spiunazhi dhe sabotimi nga aktorët rusë në Gjermani janë rritur “si në sasi, edhe në cilësi”.
Në fillim të këtij viti, CNN raportoi se autoritetet e inteligjencës amerikane dhe gjermane kishin penguar një komplot rus për të vrarë CEO-n e prodhuesit të armëve Rheinmetall, i cili ka prodhuar armë që autoritetet gjermane ia kanë dërguar Ukrainës.
Pako bombë?
“Spiunazhi dhe sabotazhi rus po shtohen në Gjermani, si në sasi edhe në cilësi”, shtoi Haldenwang.
Gjermania është tronditur nga disa raste të spiunazhit pas të cilave dyshohet se qëndron Rusia, veçanërisht që nga agresioni rus ndaj Ukrainës në shkurt 2022.
Në prill, dy burra me nënshtetësi ruse dhe gjermane u akuzuan për planifikim të akteve të sabotimit për interesa të Rusisë, përfshirë në një bazë ushtarake të SHBA-së, për të minuar ndihmën gjermane për Ukrainën.
Haldenwang akuzoi Moskën se qëndron pas ngjarjes së shënuar në korrik, kur një pako mori flakë në një qendër të DHL-së në qytetin Leipzig, përpara transportit të planifikuar me avion.
Nëse pakoja “do të kishte shpërthyer në bord gjatë fluturimit”, tha ai, “do të ndodhte përplasje dhe mbetjet do të preknin të gjithë njerëzit këtu në Gjermani që simpatizojnë [presidentin rus Vladimir] Putinin dhe regjimin e tij, në mënyrë të hapur apo të fshehtë”.
Drejtorja e shërbimit të zbulimit ushtarak gjerman (BAMAD), Martina Rosenberg, raportoi një “rritje të konsiderueshme të akteve të spiunazhit dhe sabotimit” që kanë si objektiv ushtrinë gjermane.
Moska po kërkon të marrë informacion mbi “dërgimin e armëve gjermane në Ukrainë” dhe “të krijojë një ndjenjë pasigurie”, u shpreh ajo.
“Kremlini po përgatitet për përshkallëzim të mëtejshëm të akteve hibride dhe të fshehta”, shtoi Kahl.
Rusia hodhi poshtë këto deklarata, duke thënë se ishte NATO-ja ajo që kërcënoi Rusinë.
Duke iu referuar zgjerimit të NATO-s, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se ishte NATO-ja ajo që kishte lëvizur drejt Rusisë dhe jo anasjelltas.