Bota Shefi i ushtrisë izraelite: Po përgatitemi për një operacion të mundshëm tokësor...

Shefi i ushtrisë izraelite: Po përgatitemi për një operacion të mundshëm tokësor në Liban

Ushtria izraelite po përgatitet për një operacion të mundshëm tokësor në Liban, tha shefi i ushtrisë izraelite të mërkurën. Njoftimi vjen ndërsa Hezbollahu lëshoi me dhjetëra raketa në drejtim Izrael si dhe një raketë drejt Tel Avivit, sulmi më në brendësi të territorit hebre nga grupit militant, deri tani.

Duke iu drejtuar trupave në kufirin verior, shefi i shtabit gjeneral-lejtant Herzi Halevi tha se sulmet e fundit ajrore u bënë për të “përgatitur terrenin për hyrjen e mundshme të ushtrisë dhe për të vazhduar me goditjen e Hezbollahut”.

Në një referencë të dukshme për raketën e lëshuar drejt Tel Avivit, ai u tha trupave: “Sot Hezbollahu zgjeroi rrezen e tij të zjarrit dhe po sot më vonë, ata do të marrin një përgjigje shumë të fortë. Përgatituni”.

Nuk ishte e qartë nëse zoti Halevi po i referohej një operacioni tokësor, sulmeve ajrore apo ndonjë formë tjetër hakmarrjeje kundër Hezbollahut, që është forca më e madhe politike e Libanit dhe që me mbështetjen e Iranit, konsiderohet gjerësisht grupi kryesor paraushtarak në botën arabe.

Ushtria izraelite ka thënë ditët e fundit se nuk kishte plane të menjëhershme për një operacion tokësor. Komentet e zotit Halevit ishin më të fortat të bërë deri tani nga zyrtarë izraelitë që sugjerojnë një hyrje të trupave brenda territorit libanez.

Me intensifikimin e konfliktit, ushtria izraelite tha të mërkurën se do të aktivizonte dy brigada rezervë për misione në veri – një tjetër shenjë se Izraeli po planifikon veprime më të ashpra.

Tensionet mes Izraelit dhe Hezbollahut janë përshkallëzuar në mënyrë të vazhdueshme që prej shpërthimit të luftës në Gazë, 11 muaj më parë.

Hezbollahu ka hedhur raketa e dronë drejt Izraelit në shenjë solidariteti me palestinezët në Gazë dhe Hamasin. Izraeli është përgjigjur me sulme ajrore gjithnjë e më të rënda si dhe ka vrarë komandantë të lartë të Hezbollahut.