Shefja e infektivit Najada Çomo ka shpjeguar se cilat janë katër stadet e Covid.
Duke sqaruar protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë drejtuar mjekëve të familjes, Çomo tha se në katër fazat e sëmundjes, pacientët që kalojnë fazën e parë ose të dytë kanë nevojë vetëm për trajtim në banesë, ndërkohë që ata që arrijnë në fazën e tretë ose të katërt kërkojnë trajtim spitalor.
Bazuar në protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë, ajo shpjegoi në “Opinion” 4 fazat e Covid kanë këto forma;
Forma e lehtë (Stadi I)
Karakterizohet nga shenja të lehta si lodhje, temperaturë jo e lartë (deri 38 gradë C ), kollë të thatë. Disa herë mund të kemi dhe dhimbje fyti, bllokim të hundëve, rinorre, artromialgji.
Pa shenja të pneumonisë
Forma e mesme (stadi II)
Shenjat e përgjithshme si këputja, temperatura (që zgjat mbi 5 ditë), kolla, mialgjia dhe shenjat respiratore janë më të theksuara se në formën e lehtë.
Dallimin nga forma e mësipërme e bën prania në imazherinë pulmonare, e pneumonisë (në fazën fillestare të sëmundjes vërehet imazh nodular dhe /ose intersticial,sidomos në periferi të
parenkimës. Më pas shihen alteracione bilaterale me pamjen e “ground -glass” dhe infiltrime inflamatore. Tek të sëmurët rëndë shihen edhe shenja konsolidimi; ndërsa versamenti pleural është i rrallë)
Forma e rëndë (Stadi III)
Kriteret,që përcaktojnë këtë formë janë:
– takipnea: frekuenca respiratore 30 ose mbi 30/minutë,
– sat O2: 93 % ose ne 93 % (në ajrin e mjedisit),
– grafia/CT pulmonare: progredim i lezioneve pulmonare të pneumonisë mbi 50% brenda 24-48 orëve.
Forma shumë e rëndë (Stadi IV)
Karakterizohet nga prania e njërës prej shenjave vijuese:
– shfaqja e insuficiencës respiratore, që kushtëzon aplikimin e ventilimit mekanik.
– shfaqja e shokut,
– shfaqja e insuficiencës së organeve të tjera, të cilat detyrojnë kalimin e të sëmurit në njësinë e terapisë intensive.
Është e rëndësishme të njihen shenjat e alarmit,treguese,që i sëmuri po shkon drejt formes së rëndë apo shumë të rëndë. Në to përfshihen:
– linfocitopenia progresive,
– shtimi progresiv i citokinave inflamatore sikundër IL-6 dhe proteinës C reactive,
– progresioni i shpejtë i alteracioneve pulmonare në radiografinë/C T e pulmonit.