Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike Agron Shehaj thotë se pas takimit që ka zhvilluar me ambasadoren amerikane në Shqipëri, Yuri Kim është sulmuar në rrjetet sociale nga persona të caktuar që punojnë për selinë blu, që sipas tij kanë qasje krejtësisht anti-amerikane.
Ai tregoi detaje rreth takimit dhe bisedave që ka patur me kryediplomaten e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim.
“Ambasadorja ishte e interesuar rreth kandidimit tim dhe diskutuam mbi këtë dhe çështje të tjera politike. Ka patur shumë reagim në fakt, ka pasur kritika, ka pasur edhe sulme. Ka pasur kritika, sepse realisht shumë demokratë janë lënduar nga vendi i DASH për të shpallur “non grata” z. Berisha dhe është e kuptueshme. Ka pasur sulme në rrjete sociale, nëpërmjet disa mekanizmave që janë përdorur gjatë fushatës elektorale dhe tani po përdoren kundër meje. Janë individë të caktuar që punojnë…Ka demokratë që në mënyrë spontane kanë reaguar për vendimin e DASH, por nga ana tjetër ka pasur sulme që kanë shfrytëzuar këtë zemërim nga individë të caktuar që punojmë për PD, që kanë filluar të punojmë kohët e fundit me qasje qartësisht anti-amerikane”, tha Shehaj në studion e “Ilva Now” në Euronews Albania.
Gazetarja Ilva Tare pyeti z. Shehaj se si do ta komentonte vendimin e DASH për shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha, kandidati për kryetar të PD-së bëri këtë koment:
“E kam shprehur qëndrimin tim, vlerësimin tim për liderin e PD dhe kontributin që ka dhënë në orientimin perëndimor të Shqipërisë. Ky është vendim i rëndë, që z. Berisha ka vendosur ta përballojë individualisht dhe nuk më takon mua që të jap mendim mbi vendimit e DASH. PD në asnjë mënyrë nuk duhet të rrezikojë raportet dhe miqësitë që ka me SHBA, e ardhmja e Shqipërisë dhe PD-së nuk mundet të jetë, veçse në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Shehaj.
Mes temave të tjera, z. Shehaj tha se gjatë takimeve me strukturat dhe degët e PD-së shikon angazhim të shtuar të anëtarëve, por dhe një kureshtje për platformën që ai ka shpalosur për garën e 13 qershorit.
Ai u shpreh se do kishte dashur më shumë kohë në dispozicion për garën, por gjithsesi z. Shehaj shtoi se do të përpiqet të takojë mbi 90 % të strukturave të partisë në vend.
“Janë të interesuar për garën, platformën time, bëjnë pyetje dhe ka interes shumë të madh. Do kisha dashur të kishte më shumë kohë dhe kjo është një gjë që shprehet në takimet që unë bëj. Do mundohem t’i bëj të gjitha, por në disa degë nuk do kem mundësi të shkoj tek të gjithë. Do kemi vëzhgues në çdo degë”, tha z. Shehaj.