11 muaj pas shembjes tragjike që tronditi Xhenovan dhe gjithë Italinë, ura “Morandi” u hodh në erë për t’u rindërtuar edhe një herë nga e para. Për të rrëzuar dy këmbët e urës u deshën vetëm gjashtë sekonda dhe mbi një ton dinamit.
Mijëra banorë në atë zonë u evakuuan përpara se shembeshin pjesët e mbetura të urës të përbëra nga rreth 4500 ton beton dhe çelik.
Nëpër këmbët dhe pjesët e tjera të urës ishin vendosur eksploziv. Zjarrfikës dhe autobotë ishin në gatishmëri përreth perimetrit për të parandaluar përhapjen e pluhurit. Kurse rrugët ishin mbyllur në një rreze prej 300 metrash, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve.
Një vit më parë nga shembja e urës humbën jetën 43 persona, mes të cilëve edhe dy shqiptarë. Pas kësaj tragjedie nisi një debat i madh për sigurinë e urave në të gjithë Italinë.