Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) mëngjesin e sotëm ka nisur shembjen e restorant ‘Panorma’ në pronësi të Mihal Kokëdhimës, ndërtuar buzë detit në Porto Palermo, i cili rezulton të jetë pa leje.
Restoranti i Kokëdhimës vijonte punën deri pas incidentit të ndodhur disa ditë më parë në Porto Palermo, ku Kokëdhima sulmoi familjen spanjolle që kishte shkuar në restorantin e tij.
Restoranti në fjalë është pa leje dhe është në proces legalizimi. Pavarësisht tentativës së Bashkisë së Himarës për ta shembur në vitin 2012, biznesi vijoi të ushtronte aktivitetin për vite me radhë mbi pronë publike.
Pasi ka dhunuar familjen e miliarderit spanjoll Eugenio Galdón dhe shoqëruesit shqiptarë, Mihal Kokëdhima është lënë nën masën ‘arrest me burg’.
Ndërkohë IKMT shprehet se ky aksion udhëhiqet nga kryeinspektorja, Dallëndyshe Bici dhe në bashkëpunim me policinë e shtetit. IKMT bën me dije se nuk ka hasur në kundërshtime nga qytetarët. Më pas IKMT shkruan se kjo nuk do të jetë shembja e vetme e restoranteve pa leje, por do të vazhdojë në të gjithë zonën.
“Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka vendosur të prishë bar-restorantin “Panorma” në Porto-Palermo, i ekspozuar publikisht pas një skandali të pronarit me disa turistë spanjollë dhe dy shoqëruesit e tyre shqiptarë.
Objekti rreth 2 mijë metër katror, i ndërtuar në një nga zonat më të bukura bregdetare të Shqipërisë, rezulton pa leje, ndërkohë që shfrytëzonte kundrejt pagesës edhe pjesën e plazhit.
Në këtë operacion, IKMT nuk ka hasur në kundërshtime të qytetarëve. Çdo veprim i saj ka qenë i koordinuar ngushtësisht me policinë e shtetit. Menjëherë pas përfundimit të këtij operacioni, IKMT do të vijojë punën në gjithë vijën bregdetare te vendit.”