Opozita parlamentare ka kërkuar interpelancë me Kryeministrin Edi Rama rreth çështjes së Teatrit Kombëtar.
Në kërkesën e deputetëve Rudina Hajdari e Ralf Gjoni drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, kërkohet që Kryeministri të japë shpjegime rreth procedurave të ndjekura për shembjen e teatrit.
Kërkesa është mbështetur nga të paktën 9 deputetë të tjerë të opozitës parlamentare, të cilët këmbëngulin se shembja e Teatrit Kombëtar u bë në shkelje të respektimit të parimeve kushtetuese, interesit publik, si dhe ruajtjes së vlerave historike të trashëgimisë kulturore dhe identitetit kombëtar.
Ndër pyetjet që pritet t’i drejtohen Kryeministrit Rama janë:
Pse iu transferua pronësia e teatrit Bashkisë Tiranë?
A iu bë vlerësim kombëtaro-kulturor nga ekspertë të fushës teatrit përpara shembjes?
A iu mor mendimi grupeve të interesit, aktorëve dhe shoqërisë civile?
Pse qeveria nxitoi për ta shembur ndërtesën pa kërkuar dialog me shoqërinë civile?
Cilat janë interesat e qeverisë në shembjen dhe ndërtimit të teatrit të ri?
Pse shembja u bë në 4:30 të së dielës së 17 majit dhe pse duhej që shembja të bëhej në gjendje të fatkeqësisë natyrore?
Vlen të theksohet se një nga kërkuesit e interpelancës me Ramën, Ralf Gjoni, është përjashtuar dhe nuk do të jetë nesër në parlament për t’i drejtuar pyetje Kryeministrit.
Përjashtimi ka ardhur pas debateve që u bënë javën e shkuar rreth raportimit vjetor të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi.
Gjoni këmbënguli disa herë t’i bënte pyetje nga vendi, por ai u ndalua nga Kryetari i Parlamentit Gramoz Ruçi me pretendimin se pyetjet duhet t’i ishin adresuar Dervishit me shkrim.
Mirëpo Gjoni pretendoi se rregullorja e Kuvendit nuk e parashikonte një gjë të tillë duke ngritur zërin dhe shprehur hapur pakënaqësinë për moslejimin e pyetjeve.
Shtatë deputetët e mazhorancës pretendojnë se përveç kësaj, Gjoni ka shfaqur mungesë etike duke i hedhur dokumentet një punonjëse të administratës së Kuvendit e cila iu afrua t’i sqaronte situatën.
Gjoni e konsideroi përjashtimin si “masë ndëshkuese për akuzat që ai ka bërë për Teatrin Kombëtar”.
“Jam përjashtuar sepse kërkova të parashtroja disa pyetje mbi transparencën e shembjes së Teatrit ndaj Komisionerit për të Drejtën e Informimit Besnik Dervishi ashtu siç më jep të drejtë Pika 7 e Nenit 103 të Rregullores së Kuvendit,” – u shpreh Gjoni në një postim në Facebook.