Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë ka shprehur keqardhjen për humbjen e dialogut mbi ndërtesën e Teatrit Kombëtar.
“Thellësisht të shqetësuar nga mundësitë e humbura për dialog mbi ndërtesën e Teatrit Kombëtar dhe episodet e dhunës në Shqipëri. Mbështesim të drejtën demokratike për të protestuar dhe u bëjmë thirrje të gjithë të përfshirëve të garantojnë që të jenë paqësorë. Dhuna cenon parimet themelore të demokracisë”, shprehet Ambasada e Britanisë në Tiranë.
Ambasadorja i Suedisë në Shqipëri, Elsa Håstad i është bashkuar apelit dhe thirrjes së Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri në lidhje me tensionet e krijuara pas prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar.
Ambasadorja suedeze thekson se dhuna minon parimet themelore të demokracisë, ndërsa u bën thirrje palëve për dialog.
Reagimi gjerman
Edhe ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf ka reaguar për shembjen e Teatrit Kombëtar.
“Shembja e nxituar e Teatrit Kombëtar në Tiranë agimin e ditës së sotme në atë formë, që e pamë, është për mua e vështirë për t’u kuptuar”, thekson Zingraf,
“Shembja e nxituar e Teatrit Kombëtar në Tiranë agimin e ditës së sotme në atë formë, që e pamë, është për mua e vështirë për t’u kuptuar. Pikërisht në situatën aktuale të jashtëzakonshme dialogu mes qeverisë dhe shoqërisë civile si dhe sjellja transparente e qeverisë janë veçanërisht të rëndësishme. Ky zhvillim më shqetëson edhe më shumë nisur nga konteksti i luftës kundër pandemisë së virusit Corona, duke qenë se grumbullimet e njerëzve të ndodhura deri tani dhe ato të pritshme mund të sjellin hapa pas. U bëj thirrje të gjithë aktorëve për dialog dhe vetëpërmbajtje”, ishte deklarata e ambasadës gjermane në Tiranë.