60 – Anija romake me Shën Palin rob përplaset në brigjet e Maltës, kështu mendohet. Sepse ka edhe të dhëna të tjera se Shën Pali nuk do të kishte kaluar nëpër Iliri, nëse moti me stuhi nuk do të kishte bërë që anija me të cilën ai udhëtonte (lidhur me zinxhirë) nga Jeruzalemi për në Romë të përplasjes në ishullin ilir Mljet (afër Raguzës). Deri kohët e fundit besohej se personi i parë që kishte identifikuar vendin e përplasjes së anijes së Shën Palit në brigjet e Mljetit ishte ati i historiografisë evropiane, perandori bizantin Kostandin Porphyrogenitus (905-959). Në veprën e tij “Mbi administrimin e Perandorisë”, Kostandini shkroi: “Një tjetër ishull i madh është Mljet që është përshkruar nga Shën Lluka në Aktet (letrat) ku ai e quan atë Melita”. Më pas, studiuesit zbuluan informacione të reja në “Gjeografinë” e Anania të Sirakut, shkruar mes viteve 592-636, që konfirmojnë se Shën Pali qëndroi në Iliri pas mbytjes së anijes pranë ishullit Melita (Mljet) në Adriatik. Historiani italian Serafino Razzi i shekullit të 16-të, thotë se “përplasja e anijes nuk mund të ketë ndodhur në Maltë pasi Malta ndodhet në ujrat afrikane, dhe jo në detin Adriatik. Pohoj se para se Urdhri kalorësiak i spitalorëve të Shën Gjonit (Kalorësit e Maltës) të shpërngulej në Melitën afrikane (Malta), për vend-shkatërrimin e anijes së Shën Palit, Melita ilire pranohej gjerësisht pa asnjë hezitim apo dyshim”. Kur Malta ndodhej nën kontrollin spanjoll, kjo histori mbështetej edhe nga studiues francezë dhe anglezë. Vetëm kur Malta ra nën protektoratin anglez, rrethanat ndryshuan, dhe studiuesit britanikë dolën me idenë malteze të përplasjes së anijes së Shën Palit. E njëjta gjë ndodhi me studiuesit francezë kur Malta u pushtua nga Napoleon Bonaparti. Ndërsa në Dhiatën e re, (Karta mbë Romanëtë 15,19) shkruhet qartë “…që nga Jeruzalemi e përqark e deri në Iliri e kam mbushurë me Ungjillin e Krishtit…”, dhe kontakti i parë i Shën Palit me Ilirinë ishte ishulli Mljet apo Melita (Mjet, Melita, Mjaltë, Mjaft) – më 10 shkurt të vitit 60.
1535- Dyzet murgesha anabaptiste vrapojnë lakuriq nëpër rrugët e Amsterdamit, në shenjë proteste pa-dhunë kundër varfërisë. Të nesërmen, zyrtarët e qytetit i dënuan murgeshat për herezi, dhe i masakruan; kokat e tyre u ngulën në shtylla të vendosura në hyrje të qytetit. Mesazhi ishte i qartë; “ngrihu, po deshe, kundër institucionit”.
1798 – Gjenerali Louis Alexandre Berthier (Shefi i Shtabit të ushtrisë së Napoleon Bonapartit) pushtoi Romën; në 15 shkurt shpallën Republikën romake; dhe 5 ditë më vonë, më 20 shkurt, burgos Papa Piun VI.
1855 – SHBA – Ndryshon ligji mbi shtetësinë: të gjithë fëmijët e prindërve amerikanë të lindur jashtë vendit marrin automatikisht shtetësinë e prindërve.
1917 – Në Adana, Turqi, lindi nga prindër gjirokastritë, Musine Kokalari (disa sjellin si datë të lindjes 25 tetorin 1918). Musine ishte prozatore, politikane, poete, themeluese e partisë së parë social demokratike në Shqipëri (1941); femra e parë ndër disidentët e parë të viteve të para të jetës nën komunizmin e llojit shqiptar; u përndoq, dënua, internua, harrua, braktis, vdiq në mjerim, e sëmurë rëndë, pa njeri pranë, madje as mjek. Musine, femra e pare shqiptare shkrimtare, e arsimuar në perëndim (Itali), bëri emër letrar në vitet 1930–40; Sejfullah Malëshova i afroi anëtarësim në Lidhjen e Shkrimtarëve (por të dy do të përfundonin burgjeve dhe internimeve).
Pas pushkatimit të dy vëllezërve nga komunistët (nëntor 1944), dhe pas një letre dërguar misioneve amerikane britanike ku ajo ankohej se në Shqipëri fjala e lirë po mbytej, më 17 janar 1946 Musine përfundimisht arrestohet dhe më 2 korrik dënohet me njëzet vjet burg. Pavarësisht akuzës (me titullin e frikshëm “veprime sabotazhi”), fjalët e Musinesë në gjyq tregojnë se ajo dënohej për diçka tjetër: “unë nuk kam nevojë të jem komuniste të dua vendin tim. E dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin e saj. Ju mburremi se keni fituar luftën, dhe tani ju jeni fituesi qe doni të shuani ata që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia!”
Në vitin 1964, pas 18 vjet në burgun famëkeq të Burrelit, e izoluar dhe nën mbikqyrje të vazhdueshme, Musine Kokalari kaloi 19 vitet e mëtejshme të jetës së saj në internim në Rrëshen, ku vdiq më 14 gusht 1983 nga një sëmundje e rëndë.
1954 – Presidenti amerikan Dwight D. Eisenhower paralajmëron kundër ndërhyrjes amerikane në Vietnam.
1962 – Moska i kthen Amerikës agjentin Francis Gary Power në këmbim për spiunin sovjetik Rudolph Abel. Francis Gary Powers ishte pilot amerikan i CIA-s, aeroplani U-2 i të cilit u rrëzua ndërsa fluturonte në një mision zbulimi mbi hapësirën ajrore të Bashkimit Sovjetik më 1960. Rudolph Ivanoviç Abel ishte një oficer i zbulimit sovjetik i arrestuar nga agjentët e FBI-së në vitin 1957 si anëtar i një rrjeti spiunazhi sovjetik me bazë në New York, dhe ishte dënuar me 45 vjet burgim.