Liderët e Ballkanit Perëndimor nuk i kursyen kritikat mbi procedurat burokratike që pengojnë zhvillimin e mëtejshëm si dhe bashkëpunimin rajonal, një problem i reflektuar edhe më shumë pas goditjes nga pandemia.
Gjatë samitit virtual të organizuar nga Këshilli Atlantik, kryeministri Edi Rama vuri theksin tek projekti i Shengenit të Ballkanit Perëndimor i cili sipas tij, ka mbetur peng pasi është politizuar ndjeshëm.
“Kemi nevojë për një plan konkret ekonomik në rajon i cili do të prihet nga rregulla të reja që përfshijnë implementimin dhe monitorim më efikas. Është shumë e rëndësishme që partnerët tanë të përmbushin premtimet e tyre të vazhdueshme në termat e instrumenteve financiare. Gjithashtu, është shumë e qartë tashmë se cilido që e vështirëson procesin e bashkëpunimit rajonal, me çfarëdo argumenti, e bën këtë në bazë të interesave dritëshkurtërsa politike. 4 liritë themelore të BE janë esenciale edhe në përballjen me pandeminë”, tha Rama.
Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti deklaroi se rajoni mbetet tejet i përçarë.
“Duhet të pranojmë se rajoni është shumë i përçarë në termat e integrimit ekonomik pasi ka një sërë burokracish në çështjet legjislative por ka edhe barriera teknike në mungesat infrastrukturore. Nëse ia dalim të punojmë së bashku, mund t’ia dalim të jemi të suksesshëm edhe në tejkalimin e krizës shëndetësore”, tha Hoti.
Nga ana tjetër presidenti serb, Aleksandër Vuçiç nënvizoi se projektet infrastrukturore po ecin me hapa shumë të ngadaltë.
“Kamionët tanë presin në kufijtë e brendshëm për më shumë se 26 milionë orë në vit dhe nëse e analizojmë situatën dalim në përfundimin se me ndërprerjen e procedurave burokratike ne mund të kursejmë shumë para. Dihen tashmë përplasjet politike mes Prishtinës dhe Beogradit, ky nuk është faji i Hotit apo i imi, por duhet të bëjmë më të mirën për ti zgjidhur edhe pse nuk jam shumë optimist për këtë”, tha Vuçiç.
Edhe liderët e tjerë nënvizuan nevojën për veprim konkret në kuadër të zhvillimit të mëtejshëm ekonomik në rajon ndërsa përgjegjësi i Uashingtonit për vendet e Ballkanit Perëndimor, Matthew Palmer garantoi se nuk ka përçarje mes SHBA dhe BE.
Sipas Palmer, arritja e marrëveshjes së 5 qershorit në Shqipëri, rikthimi i Prishtinës dhe Beogradit në tryezën e dialogut si dhe të tjera zhvillime, dëshmojnë më së miri bashkëpunimin e ngushtë mes Uashingtonit dhe Brukselit.