Ministria e Mbrojtjes ka reaguar në lidhje me situatën e zjarrit në Shëngjin.
“Pavarësisht punës së pandërprerë të forcave operacionale në terren, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, situata në vatrën e zjarrit në fshatin Mal Shëngjin është problematike”, njoftoi ministria e Mbrojtjes.
Përveç forcave zjarrfikëse është angazhuar edhe helikopteri Cougar, por për shkak të erës së fortë zjarri është përhapur duke rrezikuar edhe zonat e banuara dhe bizneset në zonë.
Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes thotë se janë marrë masa në kohë për evakuimin e njerëzve aty duke bërë të mundur shmangien e rrezikut.
Atje pritet që të mbërrijnë së shpejti dy avionë Canadair për ndërhyrje nga ajri.
“Ditën e djeshme operuan 20 mjete zjarrfikëse gjatë gjithë natës me 60 forca zjarrfikëse. Ndërsa sot veç helikopterit Cougar po punojnë edhe 40 mjete zjarrfikëse dhe 150 forca operacionale. Pas kërkesës drejtuar Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile pritet të mbërrijnë shumë shpejt dy avionë Canadair për ndërhyrje nga ajri. Situata vijon të mbetet problematike pavarësisht gjithë angazhimit në nivel kombëtar”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
Ndërkohë autoritetet i bëjnë thirrje banorëve të bashkëpunojnë në rast nevoje për evakuim.