Situata me zjarret që vijojnë të djegin prej mbrëmjes së djeshme sipërfaqe pyjore në zonën e “Ranës së Hedhun” në Shëngjin, është përkeqësuar mesditën e sotme.
Flakët të ndihmuara edhe nga era e fortë, i janë afruar resorteve dhe njësive turistike në zonë.
Rreth mesditës flakët kanë zbritur edhe në bregdet duke djegur çadra plazhi dhe një “beach-bar”.
Zjarrfikësit, Forcat e Armatosura por dhe banorë e punonjës të resorteve po punojnë për të izoluar flakët që kanë vendosur në rrezik serioz godinat hoteliere.
Zona ku është riaktivizuar vatra është shumë pranë ish-zonës ushtarake dhe dyshohet për shpërthime të municioneve të mbetura aty prej vitesh.
Ndërkohë për shuarjen e zjarrit po punojnë 20 automjete zjarrëfikëse si dhe një helikopter, por era e fortë favorizon avancimin e flakëve.