Policia ka bërë publike rezultatet e një aksioni në një nga zonat rezidenciale më të shtrenjta të Tiranës, Rolling Hills ku disa prej banorëve aty, pasi kanë blerë vilat kanë bërë shtesa dhe ndërhyrje pa leje me arrogancën e njerëzve të paprekshëm. Në traditën e shëmtuar të njerëzve me pushtet në këtë vend, policia e ka pas të vështirë të trokas në dyer të tilla, ku dhe roja i traut e ndjen veten më të rëndësishëm se Drejtori i Policisë së Tiranës.
Por ja që ka një ditë ku tradita prishet dhe fadromat e policisë hyjnë mes vilave luksoze, për të treguar se paratë vlejnë për të blerë vilë, por jo shtetin.
E njëjta gjë po ndodh dhe me disa prej bandave me mbështetje politike që mbijetonin në Shqipëri. Duke filluar nga operacioni “Metamorfoza ku polica goditi një grup kriminal që akuzohej se ishte i afërt me Partinë Socialiste e deri tek ndërhyrja e sotme në Fushë Kuqe ndaj shumë të kërkuarit Gëzim Çela, kanë ndryshuar rutinën e përshtatjes dhe bashkëjetesës së policisë me krimin e organizuar, duke ua prishur atyre rehatinë. Edhe në dyert e tyre policia trokiste shpeshherë më shumë si lajmëtare se sa në emër të shtetit.
Po ashtu kanë ndryshuar tërësisht raportet mes prokurorisë dhe policisë në mos dekonspirimin e operacioneve, dhe bashkëpunimin e ngushtë me SPAK. Nuk ka asnjë rrjedhje informacioni dhe asnjë devijim nga procedurat për ndalimin e të kërkuarve përmes operacioneve policore.
Por surpriza e kësaj situate të re është se në polici nuk ka ndryshuar asgjë. Nuk ka ndryshuar Drejtori i përgjithshëm i policisë, nuk ka ndryshuar shefi i Shërbimit dhe Kontrollit të Brendshëm të Policisë, nuk kanë ndryshuar Drejtorët e Policisë ne rrethe dhe askush tjetër. Me të njëjtët policë, me të njëjtët zyrtarë dhe me të njëjtat detyra që kanë pasur rezultatet janë të ndryshme.
Edhe pse për shumë dështime të policisë u hidheshin fajet policëve, disave që kanë punuar me PD dhe të tjerëve të përkëdhelur nga PS, në fakt situate ka ndryshuar pa ndryshuar policia.
I vetmi vendim që ka ndryshuar situatën, është vendimi i Edi Ramës, për të emëruar një nga zyrtarët më të lartë politikë të Partisë Socialiste si Ministër të Brendshëm, në një kohë kur socialistët duhet të merrnin përgjegjësi për situatën e rënduar të lidhjes së politikës me krimin. Dhe vendimi ka provuar diferencën mes një ministri politik dhe “ministrave teknik” në pushtet në situata të tilla./TemA