Aktualitet Shërbimet “delivery”, industria më e rrezikshme në Shqipëri: Cilët sektorë kanë numrin...

Shërbimet “delivery”, industria më e rrezikshme në Shqipëri: Cilët sektorë kanë numrin më të lartë të aksidenteve?

184 punonjës janë aksidentuar në vendin e punës gjatë vitit që lamë pas, nga të cilët 32 punëmarrës me pasojë fatale humbjen e jetës. Sipas të dhënave zyrtare nga Inspektoriati Shtetëror i Punës, nga monitorimi i procesit të inspektimit në vitin 2022,  rezultojnë se sektorët që zënë një përqindje më të lartë të ndodhjes së aksidenteve në punë pa pasojë vdekje janë  ndërmarrjet prodhuese me 27 %, por duhet theksuar se në këto subjekte kanë ndodhur aksidente të lehta ose incidente dhe aksidente rrugore, gjë që tregon për një rritje të ndërgjegjësimit të punëdhënësve për të deklaruar çdo aksident apo incident pranë Inspektoratit të Punës.

Në vendin e dytë renditen aktivitete të tjera, ku këtu një përqindje të lartë prej 14,1% të totalit të aksidenteve zënë aksidentet rrugore të cilat kanë ndodhur kryesisht në shërbimet delivery dhe gjatë rrugës nga shtëpia për në punë dhe anasjelltas.

Ndërkaq, ndërtimi renditet në vendin e tretë, por krahasuar me vitet paraardhëse ka një ulje të numrit të aksidenteve në punë në këtë sektor, pavarësisht se sektori ka patur zhvillim të lartë gjatë këtij viti. Dhe  miniera-karriera, aksidente të cilat kanë ndodhur në galeri. Përqindjen më të lartë të aksidenteve me pasojë vdekje e zënë aksidentet rrugore të cilat zënë 32% të aksidenteve me pasojë vdekje në total.

Bazuar në këtë analizë të aksidenteve me vdekje, Inspektorati i Punës thekson se do ti kushtohet vëmendje e shtuar sektorit të shërbimeve delivery në raport me kryerjen dhe kontrollin e dokumentit të vlerësimit të riskut për profesionin “motorrist”, pasi vendi i tij i punës është lëvizja në rrugë.

Ndërsa përqindjen më të madhe të aksidenteve në punë e zë Drejtoria Rajonale Tiranë, 48,7% të totalit, pasi ka hapësirën gjeografike dhe përqendrimin më të madh të subjekteve në të gjithë Shqipërinë.

Elisabeta Dosku/ SCAN