Duke nisur nga dita e premte situate atmosferike në vend do të ndryshojë tërësisht.
“Mos u gënjeni nga dita e sotme plot diell dhe temperatura relativisht të ngrohta, pasi si muaj Shkurt që jemi nesër kemi ndryshim total të situatës meteorologjike.
Në këtë mënyrë duke nisur që nga orët e vona të mbrëmjes së sotme (kryesisht orët 22-24:00) nis shtimi i vranësirave mesatare dhe të dendura në pjesën më të madhe të territorit. Prej orëve 00-02:00 të dt. 14.02.2020 gradualisht nisin reshjet e shiut me intensitet të ulët në të gjithë territorin (në jugperëndim-veriperëndim lokalisht mesatar në formë shtrëngatash).
Më tej për nesër moti do të jetë i vranët në të gjithë territorin shoqëruar me reshje shiu të vazhdueshme dhe lokalisht të herëpashershme me intensitet mesatar deri dhe të lartë (reshjet me intensitet deri të lartë në qarqet Shkodër, Berat, Elbasan, Vlorë e Gjirokastër). Në zonën e Alpeve si dhe lartësitë mbi 700-800 metër në verilindje dhe juglindje reshjet e shiut pas orëve të mesditës kthehen në reshje dëbore.
Pas orëve të pasdites bie itensiteti i reshjeve dhe bëhen të herëpashershme dhe të dobëta. Temperaturat në vlerat minimale parashikohen nga 4ºC në zonat malore deri në 12ºC në ato bregdetare ndërsa në vlerat e mesditës ato parashikohen nga 6ºC në zonat malore deri në 15ºC në ato bregdetare”, njofton Shërbimi Meteorologjik Shqiptar.