Një kafene në sheshin e famshëm të Shën Markut të Venecias u kthye në një “fushë beteje” kur një mosmarrëveshje mes një kamarieri dhe një pjesëtari të një grupi turistësh u bë e shëmtuar dhe situata doli jashtë kontrollit.
Pamjet e publikuara nga ‘Corriere del Veneto’ e Italisë tregojnë përleshjen që shpërtheu në Caffè Chioggia mes kamerierëve dhe klientëve të huaj.
Videoja është filmuar javën e kaluar nga një dëshmitar okular që flet anglisht, i cili dëgjohet duke bërtitur “Çfarë po ndodh?”.
Të paktën shtatë kamerierë thuhet se janë përfshirë në përleshjen me grupin prej katër turistësh, gjatë së cilës një burrë u përpoq të mbrohej duke mbajtur një karrige si “mburojë”.
Në pamjet që qarkullojnë në internet, megjithatë, jo të gjithë kamerierët duket se po marrin pjesë në sherr, përkundrazi, disa duket se po përpiqen më tepër të qetësojnë shpirtrat.
“Unë nuk mendoj se kemi parë ndonjëherë skena të tilla në Piazza San Marco – komenton këshilltari bashkiak, Sebastiano Costalonga – pavarësisht nga vrazhdësia e disa turistëve që i kanë disa sjellje vërtet përtej kufijve, asgjë e tillë nuk duhet të ndodhë përsëri”. Sikleti dhe ndjesia që u krijua rreth incidentit duket se nuk e kundërshtojnë atë.
Sherri ka nisur për përdorimin e tualetit. Stafi iu ka kërkuar turistëve të respektojnë radhën. Më pas ka ardhur edhe një kërkesë e dytë për të pritur radhën (pasi turistët nuk kishin konsumuar asgjë në kafene) dhe nga aty nisi një sherr i shpejtë.
Vendi ku ndodhi incidenti e bën atë unik, por në Venecia nuk është një ngjarje e izoluar, shkruajnë mediat italiane. Përleshja në kafenenë në Piazza San Marco është emblema e nivelit të ulët që karakterizon gjithnjë e më shumë vizitorët e saj. Sipas banorëve, prej disa kohësh Venecia ka parë lloj-lloj gjërash nga turizmi masiv, megjithatë zyrtarët bashkiakë thonë se sjella e stafit të kafenesë ishte e shëmtuar dhe dëmton turizmin e Venecias.