Një ngjarje e rëndë, e cila për pak mund të merrte edhe përmasat e një tragjedie të vërtetë ka ndodhur në Trieste të Italisë. 8 persona kanë mbetur të plagosur pas një sherri që dyshohet se ka ndodhur mes dy grupesh shqiptare.
Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, një grup me qytetarë shqiptarë dhe një tjetër me qytetarë të Kosovës janë përleshur me njëri-tjetrin.
Sipas të dhënave të para, ngjarja ka ndodhur pas një sherri mbi çështjet e punës. Dy grupet me shqiptarë janë zënë fillimisht në një bar. Më pas kanë nxjerrë armët dhe kanë qëlluar.
Mësohet se një person ndodhet në spital në gjendje të rëndë. Autoritetet policore raportojnë se kanë qenë dy persona të cilët kanë qenë të armatosur. Këta persona janë ndaluar dhe në momentin e arrestimit nga policia janë përpjekur të qëllojnë dhe i kanë rezistuar policëve.
La Stampa raporton se janë dëgjuar të paktën 10 të shtëna. “Në fillim nuk e kuptoja se çfarë po ndodhte. Ata po ndiqnin njëri-tjetrin dhe dukej sikur po luanin. Më pas pashë dikë në tokë që i kishin rënë të fikët dhe e kuptova se çfarë kishte ndodhur”, tha banakieri i lokalit ku ndodhi ngjarja.