Aktualitet Sherr mes dy pushuesve nga Kosova në Shëngjin, plagoset me thikë njëri...

Sherr mes dy pushuesve nga Kosova në Shëngjin, plagoset me thikë njëri prej tyre

Një pushues nga Kosova mbeti i plagosur me thikë mbrëmjen e kësaj të enjteje në Kune të Shëngjinit. Ngjarja ndodhi pas një sherri mes dy personave, të dy nga Kosova, për shkaqe dhe në rrethana ende të paqarta.

I plagosuri, i identifikuar si Selim Bllaca, 59-vjeç, është dërguar në Spitalin e Lezhës për ndihmë mjekësore. Ai raportohet se është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe pritet të niset drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Autori i dyshuar i kësaj plagosje është 66-vjeçari Hazir Berisha, i cili u vu në pranga nga policia e Lezhës. Kjo e fundit, në një njoftim për mediat tha se po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.

“Rreth orës 21:00, në Shëngjin, pas një konflikti të çastit, shtetasi kosovar Hazir Berisha 66 vjeç, ka plagosur me thikë shtetasin Selim Bllaca 59 vjeç, banues po në Kosovë. I dëmtuari është dërguar në Spitalin Rajonal Lezhë, për tju nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Falë veprimeve të shpejta hetimore operacionale, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i 66-vjeçarit, si autor i dyshuar si dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i armës së ftohtë ( thikës) e dyshuar e përdorur nga autori. Vijojnë veprimet hetimore nga grupi hetimor për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj“, tha dhe policia e Lezhës.