Sërish në qendër të vëmendjes lokali i natës në Sarandë, ku një muaj më parë plagosën me armë njërin nga pronarët e këtij biznesi.
Mbrëmë janë përfshirë në një sherr fizik truprojat e lokalit të natës me disa klientë nga Anglia.
Policia e Sarandës ka arrestuar një truproje, Xh.D. 47 vjeç nga Tirana, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë, këtij shtetasi iu gjet dhe iu sekuestrua 1 thikë.
Gjithashtu u proceduan penalisht për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”, edhe dy truproje të tjerë, Xh. S. 25 vjeç dhe T. D., 25 vjeç.
Po kështu janë proceduar në gjendje të lirë edhe klientët e lokalit që u konfliktuan me truprojat; A. M. 23 vjeç, F. M. 27 vjeç, E. S. 21 vjeç, F. V. 19 vjeç, të katërt shtetas kosovarë, banues në Londër dhe A. B. 22 vjeç, M. N. 26 vjeç dhe M. T. 26 vjeç, të tre shtetas anglez, banues në Londër.
Lidhur me këtë ngjarje, janë proceduar penalisht edhe pronarët e lokalit, M.I. 37 vjeç dhe M.I 41 vjeç. Ata akuzohen për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Punësim i paligjshëm”, pasi dyshohen se kanë fshirë pamjet filmike të këtij konflikti që ka ndodhur brenda ambienteve të lokalit.
Nga verifikimet e bëra ka rezultuar se 3 shtetasit e përfshirë në konflikt, të cilët punonin si truproje në këtë lokal, ishin të paregjistruar/siguruar, duke shmangur sigurimin e detyrueshëm për të punësuarit.