Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njoftoi pasditen e kësaj të diele arrestimin e gardistit Martin Nikolli. 50-vjeçari sipas AMP, është përfshirë në konflikt duke dëmtuar me sende të forta disa persona dhe ka përdorur armën e shërbimit gjatë kohës që nuk ishte në detyrë.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë) nën drejtimin e Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka arrestuar në flagrancë për kryerjen e veprave penale “Kanosja”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike” punonjësin e Gardës së Republikës Inspektor Martin Nikolla, pasi dyshohet se është përfshirë në një konflikt me sende të forta dhe ka përdorur armën e shërbimit gjatë kohës që nuk ka qenë në detyrë, duke kryer veprime të kundërligjshme.
“Veprimet proceduriale u kryen mbi bazën e njoftimit për një ngjarje me armë të ndodhur sot në fshatin Hamallaj Durrës, ku punonjësi i Gardës së Republikës ka kryer veprime antiligjore, të cilat kanë sjellë si pasojë dëmtime me dashje të disa shtetasve. Në përfundim të veprimeve të para hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë, u krye “Arrestimi në flagrancë” i shtetasit Martin Nikolla, 50 vjeç, me detyrë N/Oficer Sigurie në Grupet e Shoqërimit, pranë Gardës së Republikës të Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e AMP.
Më herët, Ministria e Brendshme e përjashtoi menjëherë nga Garda e Republikës. Një konflikt mes dy familjeve për motive pronësie degradoi deri në përdorimin e sendeve të forta dhe armës së zjarrit në fshatin Hamallaj të Durrësit këtë të diel. Në të u përfshinë anëtarë të familjes Nikolli dhe Kaçi. Pasi u përplasën fizikisht, gardisti Martin Nikolli qëlloi me armë zjarri në ajër. Nga të shtënat nuk pati të lënduar. Shkak për ngjarjen dyshohet se u bë një rrugë kalimi, e cila shpeshherë kishte shkaktuar jo pak përplasje mes dy familjeve, ku bënte pjesë dhe ish-punonjësi i Gardës.