Detaje të reja janë zbuluar nga ngjarja e rëndë në Menkulas të Devollit, ku shtetasi Vasil Babinis tentoi të vriste me sëpatë 73-vjeçarin Vasil Begolli.
Pronari i lokalit Ervis Begolli u shpreh se debati nisi për lojën me letra dhe të dy filluan të shtyheshin me njëri tjetrin. Sipas tij ngjarja ka ndodhur pasi ata kanë shkuar në banesën e të plagosurit.
“Autori dhe i plagosuri po luanin me letra në lokal. Kanë filluar debatin me njëri-tjetrin për lojën me letra. Kemi ndërhyrë fillimisht për ti qetësuar dhe të dy kanë vazhduar lojën. Pas 30 minutash filluan debatin sërish duke u goditur dhe shtyrë me njëri-tjetrin. Sërish ndërhymë duke i ndarë. Sot morëm vesh që konflikti ka vijuar në banesën e të plagosurit dhe na ka ardhur shumë keq. Të dy kishin pirë disa gota dhe ishin të dehur”, tha Begolli.
Ndërsa banorët e zonës i përshkruajnë si njerëz të mirë e jo të sherrit. Ata theksojnë se konflikti ka ndodhur pasi të dy kanë qenë të dehur.
“I njohim, fshatarë i kemi. Njerëz të mirë, s’janë të sherrit, ku dimë ne momenti. Kurrë s’janë zënë me asnjeri në fshat. Luanin me letra, s’dimë gjë tjetër”, tha një nga banorët e fshatit.
“Për inat të lojës, bënë sherr pastaj”, përfundoi një tjetër.