Aktualitet Sherri në Hamallaj/ Ish-gardisti Nikolli: Konflikti nisi nga pala tjetër, pse qëllova...

Sherri në Hamallaj/ Ish-gardisti Nikolli: Konflikti nisi nga pala tjetër, pse qëllova me armë

Ish-gardisti Martin Nikolli, i cili paraditen e djeshme u përfshi në një konflikt të dhunshëm për motive pronësie dhe dëmtoi me sende të forta disa persona duke përdorur dhe armën e shërbimit gjatë kohës që nuk ishte në detyrë, në dëshminë para uniformave blu ka thënë se e gjitha ka nisur kur babai i palës tjetër, Kaçi, i ka ofenduar.

Më pas, sipas Martin Nikollit, gjërat u përkeqësuan dhe konflikti u agravua e për këtë shkak thotë se ka qëlluar në ajër për të ndaluar sherrin.

“Erdhi babai i palës tjetër dhe na ofendoi. Konflikti ka nisur në fillim nga ana e tyre. Më pas gjërat u përkeqësuan dhe nisi konflikti më i rëndë. Në fund kam qëlluar me armë në ajër. Qëllimi ka qenë për të ndaluar sherrin dhe konfliktin që kishte nisur. Nxora armën për të qëlluar në momentin që sherri po degradonte deri në përdorim të sendeve dhe objekteve të forta”, mësohet të ketë thënë ish-gardisti Martin Nikolla.

Shkak për ngjarjen dyshohet se u bë një rrugë kalimi, e cila shpeshherë kishte shkaktuar jo pak përplasje mes dy familjeve.

Pas ngjarjes së rëndë, që sa nuk përfundoi me viktima, me urdhër të Ministrit të Brendshëm, efektivi i Gardës u përjashtua nga detyra. Martin Nikolli me funksion ndihmës oficer sigurie në grupet e shoqërimit, ishte i punësuar si shoferi zëvendësues i kryeparlamentares Lindita Nikolla.

Kjo e fundit dënoi ngjarjen nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale. Nikolla u shpreh se institucionet duhet të dënojnë këdo që ka gisht në këtë rast flagrant pavarësisht pozicionit ku ka shërbyer më herët. Nikolla gjithashtu shkroi se institucionet do t’i ofrojnë familjes Kaçi mbrojtjen që parashikon ligji.

Bashkë me gardistin, policia njoftoi edhe arrestimin e një të afërmi të tij, që po ashtu u përfshi në konflikt. Ai është Afred Nikolla dhe akuzohet për kanosje, plagosje të rëndë me dashje dhe prishje të qetësisë publike.