Kryesore Sherri në PD-në zyrtare, Berisha fton deputetët për të bashkëpunuar, me përjashtim...

Sherri në PD-në zyrtare, Berisha fton deputetët për të bashkëpunuar, me përjashtim të dy personave

Nga konferenca e përjavshme me gazetarët ku u shtruan për diskutim zhvillimet e fundit politike në kampin opozitar, ku militantët e Lulzim Bashës u përplasën me një grup deputetësh të PD, Sali Berisha rezervoi një ftesë për këta të fundit.

Duke veçuar Bashën dhe Alibeajn, të cilët i akuzon për lidhje kriminale me Edi Ramën, Berisha u shpreh se fton pjesën tjetër të deputetëve demokratë që të diskutojnë për të ardhmen e PD.

“Me përjashtim të dy personave që kanë lidhje të tmerrshme me Edi Ramën, me të gjithë deputetët e tjera jam gati që të ketë çdo lloj debati, diskutimi, mirëkuptimi pa përjashtim, sepse ata në moment themelor mbështetën kandidatët e Primareve. De-facto mbështetën statutin e PD. Ky është investim i tyre, nuk ndodhi për Sali Berishën. Investuan në partinë që i përkasin, prandaj ndaj tyre PD është e hapur. Jo që s’bëj një hap mbrapa por bëj një hap para për t’i ftuar ata, Unë i ftoj ata që të diskutojmë dhe të bëjmë më të mirën për PD, opozitën dhe të ardhmen e vendit”, tha ai.

I pyetur nëse është i gatshëm që për hir të bashkimit me këtë pjesë të PD dhe ambicies së opozitës për të qenë rivale e denjë përballë Ramës në 2025, të lëshojë diçka nga pushteti personal, Berisha theksoi se partia funksionon sipas statutit dhe në bazë të tij do të ketë votëbesim pas humbjes së zgjedhjeve lokale të 14 Majit.

“Gjithçka përcaktohet nga anëtarësia e partisë. Ne kemi statutin më demokratik që një parti mund të ketë sot. Unë i qëndroj me korrektesë statutit. Nuk ndërtohet partia në bazë të dëshirave, por në bazë të rregullave”, deklaroi Berisha.

Në konferencën e përjavshme për mediat Berisha denoncoi pseudo-votimet që sipas tij janë zhvilluar në institucionet e vuajtjes së dënimit, në të gjithë vendin.

Ish-kryeministri u ndal në veçanti te Burgu 313 në kryeqytet, duke akuzuar autoritetet se kanë lejuar Emiljano Shullazin që në shkelje flagrante të rregullore, të hynin në çdo dhomë dhe të ushtronin presion mbi të dënuarit.

Sipas Berishës, grupi i Shullazit ka bërë fushatë brenda burgut për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, duke lejuar që të votojnë vetëm ata të dënuar që nënshkruanin një deklaratë ku deklaronin hapur votën më 14 Maj.

“Pseudovotim është bërë në burgjet e Shqipërisë. Në burgun 313 ku ndodhen rreth 600 të burgosur, të dënuarve, nga grupi i Shullazit dhe vetë Shullazi u janë bërë format më të egra të presionit. Shullazi dhe grupi i tij në shkelje flagrante të rregullores së burgut është lejuar të kalojë nga kati më kat për të bërë fushatë për Erjon Veliajn.

Të burgosurve u është kërkuar deklaratë, për dinjitetin e tyre kanë refuzuar të votojnë për Erion Veliajn, ata nuk kanë votuar dot. Është një qendër ikonë e zezë e këtyre votimeve. Në listën e zgjedhësve të kësaj qendre ditën e premte ka pasur gjithsej 130 votues. Vetë burgu ka 600. Ditën e votimit kanë votuar 300”, tha Berisha.