Policia e Shtetit arrestoi sot 28-vjeçarin Sadetin Erkoçeviq, lindur dhe banues në Shkodër, pasi po përgatitej të kryente një krim të rëndë në Tiranë. Erkoçeviq është një emër i njohur për policinë dhe i shpallur në listën e 31 më të kërkuarve në Shkodër. Ai akuzohet për vrasje me dashje në vitin 2014.
Në atë kohë, pas një sherri për një balerinë në një lokal me muzikë live i riu ka vrarë me armë zjarri shtetasin Indrit Ylli dhe ka plagosur shtetasin Jetmir Molla.
Si ndodhi ngjarja më 2014
Në lokalin “Enigma”, në fshatin Zus, në Shkodër, kishte shkuar i ndjeri Indrit Ylli se bashku me kushëririn e tij, Ervin Ylli, dhe një shokun e tij, Fabian Hoxha. Në këtë lokal, më pas ka shkuar edhe shtetasi Jetmir Beqiri (Mollaj), së bashku me shokun e tij, Altin Haxhi. Shtetasi Jetmir Beqiri (Molla) është kushëri me të ndjerin Indrit Ylli dhe me shtetasin Ervin Ylli.
Ata janë takuar në lokal dhe kanë shkëmbyer pije me njëri-tjetrin. Në një moment, rreth orës 24.00, i ndjeri Indrit Ylli është çuar së bashku me Jetmirin dhe shokun e tyre Fabian dhe kanë filluar të kërcejnë në mes të lokalit.
I ndjeri Indrit është afruar tek tavolina, ku qëndronte Elion (Esmeraldo) Hato, së bashku me shokët e tij dhe ka marre nga tavolina e tyre një balerinë për të kërcyer me të.
Në këtë moment, mes të ndjerit Indrit Ylli dhe shtetasit Sadetin Erkoçeviq (Lisi), i njohur me emrin “Timi”, ka filluar një debat lidhur me balerinën, debat që ka përfunduar në përdorimin e armëve./BW