Komisioni Europian ka lëshuar një version mjaft të reduktuar të kontratës së tij me prodhuesin e vaksinave Covid-19 AstraZeneca mes një mosmarrëveshje mbi detyrimet ligjore të kompanisë për vonesat në furnizimin me doza.
Një lëvizje e tillë erdhi pak pasi presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, kërkoi publikimin e kontratës, e cila siç pretendon detyron kompaninë t’i përmbahet afateve.
Por nuk e mendon njësoj shefi i kompanisë britaniko-suedeze, sipas të cilit, në kontratë kompania angazhohej të bënte “përpjekjen më të mirë” për të dërguar dozat sipas afateve, por pa qenë e detyruar ta bëjë.
“Përpjekjet më të mira” përfshihet në kontratën e publikuar edhe me miratimin e Astrazeneca-s, por siç sqaroi më herët Von Der Leyen ai i referohet periudhës kur nuk ishte ende e sigurt nëse AsteraZeneca do të krijonte vaksinën.
Në marrëveshjen prej 41 faqesh, sasia e dozave që do të dorëzoheshin 3 muajt e parë të vitit përcaktohet qartë, e përmenden 4 fabrika prodhuese me vaksinat e destinuara për Europën, 2 prej të cilave në Britaninë e Madhe.
“AstraZeneca do të bëjë përpjekjet më të mira për të prodhuar vaksinat në fabrikat brenda BE, ku për qëllim të seksionit 5.4 do të përfshijë edhe Mbretërinë e Bashkuar”.
Megjithatë, kontrata nuk e thotë nëse AstraZeneca është e detyruar të dërgojë dozat e prodhuara në Britani, një e drejtë e pretenduar nga Brukseli.