Një 43 vjeçar shqiptar është vrarë në Belgjikë. Mediat vendase shkruajnë se autor i këtij krimi është fqinji i tij, një shtetas italian, 61 vjeç. Mësohet se shkak ka qenë konflikti i vazhdueshëm mes tyre për vendin e parkimit, para godinës ku jetonin.
Shqiptari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga mediat, ka qenë duke ndezur furgonin, kur i është afruar fqinji, të cilit i kishte bllokuar makinën në parking.
Dëshmitarët u thanë mediave se fillimisht ata u grindën dhe më pas 61-vjeçari nxori pistoletën dhe e qëlloi disa herë. Shqiptari humbi jetën rrugës për në spital ndërsa plumbat nuk kursyen kushëririn e tij, një i ri 19 vjeç. Ai ndodhet në spital, në gjendje kritike për jetën.
Për shkak të krismave, disa banorë kanë dalë nga shtëpitë. Ata kanë deklaruar se autori i drejtoi armën bashkëshortes së viktimës dhe një personi tjetër. Pasi kreu krimin ai u largua me shpejtësi, por u arrestua pas ndjekjes nga policia.
Shqiptari jetonte bashkë me bashkëshorten dhe tre fëmijët, ndërsa shtetasi italian ishte i divorcuar dhe jetonte vetëm. Krimi ka tronditur banorët e zonës, të cilët kanë shprehur keqardhje për ndarjen nga jeta të 41-vjeçarit. Disa prej tyre vendosën dhe buqeta me lule në vendin e ngjarjes.