Deklaratës së Edi Ramës, se ishte Ramush Haradinaj ai që shpiku çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, kryeministri i Kosovës, iu përgjigj duke thënë se Rama duhet të merret me shpikjet brenda Shqipërisë.
“Urime pavarësia e Kosovës të gjithë shqiptarëve. Edi Rama nuk ka çfarë të flasë për shpikjet politike në Kosovë! Le të merret me shpikjet e veta brenda Shqipërisë se i dalin boll”, shkruan Haradinaj në Facebook.
Rama sot tha se Demarkacioni duhet të ishte votuar me kohë, pasi nuk ishte asgjë tjetër përveçse një ide e shpikur nga politika e brendshme e Kosovës, që rrezikoi edhe të ardhmen euro–atlantike të këtij vendi.
“Unë kam preferuar gjithmonë që debatet me miqtë e mirë këtu në Prishtinë t’i bëj në mënyrë diskrete, sy me sy, por çështja e demarkacionit u kthye dhe është sot e gjithë ditën në një gur që rëndon mbi qafën e Kosovës dhe që ka krijuar një pështjellim jo të vogël, në mes atyre që janë fuqia që lindi shtetin e Kosovës, partnerët strategjikë ndërkombëtarë të shqiptarëve”, u shpreh Edi Rama në Klan Kosova.
Hashim Thaçi prezantoi sot një aneks-marrëveshje me Malin e Zi, sipas të cilës do të ratifikohet demarkacioni. Kryesia e Kuvendit caktoi sot seancën plenare për të ratifikuar demarkacionin ditën e djelë, më 18 shkurt.
Por “sherri” mes Ramës dhe Haradinajt ka zgjatur vetëm një orë, pasi pak pas deklaratës së fortë të kryeministrit të Kosovës, shefi i qeverisë së Shqipërisë ka publikuar një status në Facebook nga shtëpia e Haradinajt duke trokitur gotat e shampanjës me homologun e tij. “Përplasje gotash në shtëpinë e Haradinajve. GEZUAR FESTEN E PAVARESISE’, shkruan Rama në Facebook.