Aktualitet Sherri tragjik mes shqiptarëve në Itali, identifikohet 23-vjeçari që u vra në...

Sherri tragjik mes shqiptarëve në Itali, identifikohet 23-vjeçari që u vra në mes të rrugës

Festa mes shqiptarëve në një lokal, disa gota më shumë, e ndoshta edhe një ngacmim në drejtim të një vajze, dyshohet se u bënë shkak për një ngjarje të rëndë mbrëmjen e së premtes në Turbigo të Italisë. Sherri në lokal u përmbyll tragjikisht me të shtëna armësh në rrugë. Bilanci është i rëndë. Një djalë 23 vjeç mbeti i vrarë.

Ai është identifikuar nga mediat italiane si Emanuel Rroku.

I riu shqiptar humbi jetën në spital. Autori i dyshuar i ngjarjes është një 34-vjeçar, i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë, pasi u dhunua nga miqtë e viktimës. Një 30-vjeçar tjetër, mbeti i plagosur në këmbë nga të shtënat me armë.

Përplasja e përgjakshme ndodhi rreth orës 23:30 në qendër të komunës së vogël që ndodhet në provincën e Milanos. 3 shqiptarët e përfshirë në të shtënat me armë ishin pjesë e një grupi të përbërë nga dhjetëra bashkëkombës. Nën efektin e alkoolit dhe për shkaqe banale, sherri shpërtheu në të shtëna me armë në rrugë.

Sipas të dhënave të deritanishme të hetuesve, 34-vjeçari nxori pistoletën duke plagosur fillimisht në këmbë 30-vjeçarin. Personat e tjerë që ndodheshin në festë, rrethuan autorin i cili vijoi të qëllonte me armë. Pikërisht në këtë moment një prej plumbave kapi në qafë 23-vjeçarin Emanuel Rroku, i cili gjeti vdekjen pak orë më pas në spitalin e Legnano-s.

Arma e përdorur në këtë ngjarje, një pistoletë e kalibrit 6,35 ishte e denoncuar e zhdukur në 2017-n, në provincën e Como-s.

Vrasësi i dyshuar u neutralizua nga miqtë e viktimës, që e goditën me shkelma e grushta derisa mbërritën karabinierët e Legnano-s dhe e arrestuan. Ai u dërgua më pas në spital ku ndodhet në gjendje të rëndë.

Hetimet për ngjarjen e rëndë vijojnë. Autoritetet mësohet se kanë marrë dëshmi të shumta dhe kanë sekuestruar kamerat e sigurisë që ndodhen në zonë me qëllim zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.