Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” pa afat ndaj katër personave që u kapën të premten nga Policia e Fierit për vjedhjen e banesave në Cakran.
Të arrestuarit identifikohen si: A.L. 27 vjeç, E.D. 31 vjeç, A.L. 31 vjeç dhe L.N. 24 vjeç. Të gjithë këta shtetas janë nga Frakulla.
Grupi u kap në tentativë për të vjedhur dy banesa në Cakran. Teksa përpiqeshin për t’u larguar, autorët e dyshuar u përplasën edhe me një banor të zonës.
Policia e Fierit i ka konsideruar të dyshuarit si persona me precedentë të theksuar kriminal në fushën e vjedhjes së banesave.
Të rinjtë u kapën në flagrancë nga policia në operacion policor të quajtur “Shëtitësit”.