Extra Shfaqet pas 30 vitesh: Fshati “fantazmë” spanjoll tërheq turma turistësh

Shfaqet pas 30 vitesh: Fshati “fantazmë” spanjoll tërheq turma turistësh

Një fshat “fantazmë” që është shfaqur pasi thatësira ka zbrazur një digë në kufirin spanjoll-portugez, po tërheq turma turistësh në rrënojat e frikshme gri.

Rezervuari është në 15% të kapacitetit prandaj detajet e jetës në vitin 1992, kur fshati Aceredo në rajonin veriperëndimor të Galicia-s në Spanjë u përmbyt për të krijuar rezervuarin Alto Lindoso, po zbulohen edhe një herë, raporton The Guardian.

María del Carmen Yañez, kryetarja e këshillit më të madh të Lobios, pjesë e të cilit është Aceredo, fajësoi mungesën e shiut në muajt e fundit, veçanërisht në janar, por edhe “shfrytëzimin mjaft agresiv” nga njësia e energjisë e Portugalisë.

Duke ecur në tokën me baltë të plasaritur nga thatësira, vizitorët gjetën çati pjesërisht të shembura, tulla dhe mbeturina druri që dikur përbënin dyer ose trarë, madje edhe një shatërvan me ujë që ende rridhte nga një tub i ndryshkur.

“Është sikur jam duke parë një film. Kam një ndjenjë trishtimi”, tha për The Guardian pensionisti 65-vjeçar Maximino Pérez Romero, nga A Coruña. “Mendoj se kështu do të ndodhë me kalimin e viteve për shkak të thatësirës dhe gjithë kësaj, me ndryshimet klimatike.”