E nisur si një nga dosjet më të bujshme të vitit 2018 e task forcës së Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ka përfunduar gjykimi për dosjen “Bajri”, në Gjykatën e Shkodrës duke e shfryrë nga të gjitha akuzat e rënda dhe të pandehurit janë shpallur fajtorë për akuza si armëmbajtje pa leje.
Kështu, Safet Bajri është dënuar me 2 vite e 6 muaj burgim. Ilir Bajri u dënua përfundimisht me 1 vit e 8 muaj burg. Astmer Bilali me 3 vite burg, Ismet Idrizi, me 2 vite e 6 muaj burg, ndërsa Emrah Plaku me 2 vite burgim.
E nisur fillimisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, kjo dosje përfshiu në hetim vepra të rënda penale si vrasje me dashje apo shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie, që dyshoheshin se ishin kryer nga i ashtuquajturi grupi i Bajrave në Shkodër.
Por hetimi i mëvonshëm do të rrëzonte një nga një të gjitha akuzat e rënda dhe pasi nuk kishte prova as për grup të strukturuar kriminal, dosja u transferua në Prokurorinë e Shkodrës. Kjo e fundit pas hetimeve e dërgoi dosjen për gjykim vetëm për akuzën e armëmbajtjes pa leje për të gjithë anëtarët e dyshuar të grupit Bajri.
Në fund, të pandehurit u shpallën fajtorë vetëm për armëmbajtje pa leje. Masat e dënimit, të vendosura nga gjykata e Shkodrës, rezultuan më të vogla nga ditët e paraburgimit që kanë bërë të pandehurit, duke sjellë lirimin e tyre. Aktualisht, në qeli vazhdon të mbahet vetëm Safet Bajri, i cili është duke vuajtur një dënim të marrë nga drejtësia belge.