11 persona janë proceduar penalisht në gjendje të lirë në Durrës pasi shfrytëzonin fëmijët dhe nipërit e tyre të mitur për të lypur në rrugë.
Policia thotë se të miturit e shfrytëzuar janë të moshave nga 2 deri në 13 vjeç.
Për këtë veprimtari kriminale, janë referuar materialet procedurale në Prokurori, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”, për shtetasit Xh. H., A. B., S. B., M. B., R. A., A. K., V. A., E. A., A. A., S. A. dhe R. O.
Këta persona në 7 raste janë konstatuar në zona të ndryshme të Qarkut të Durrësit, teksa shfrytëzonin për të lypur të mitur të afërm të tyre. Kontrollet kundër kësaj paligjshmërie, do të vijojnë.
Policia e Durrësit apelon për prindërit dhe qytetarët që të mos shfrytëzojnë të miturit për veprimtari ekonomike të papërshtatshme me moshën e tyre, pasi përveç se përbën një paligjshmëri të dënueshme nga Kodi Penal, ky veprim dëmton dhe shëndetin psiko-emocional të fëmijës.