Të paktën 227 persona kanë humbur jetën si pasojë e tërmetit me magnitudë 7.2 që goditi Haitin këtë të shtunë. Ndërtesa të shumta janë shembur si pasojë e dridhjeve të tokës.
Kryeministri i Haitit tha se ka një dëm të madh në të gjithë vendin dhe do të shpallë gjendjen e emergjencës për një muaj. Ky tërmet e gjen Haitin teksa po përpiqej që të rimëkëmbej nga tërmeti i vitit 2010 që shkaktoi me qindra mijëra viktima.
“Shumë shtëpi janë shkatërruar, ka njerëz të vdekur dhe të tjerë janë dërguar në spital”, tha një qytetare.
Pritet që numri i të vdekurve të rritet. Tërmeti goditi qytetin e Saint-Louis-du-Sud në një thellësi prej 10 kilometrash. Sipas agjencive amerikane gjeologjike edhe pasgoditjet janë ndjerë shumë në Haiti pasi kanë qenë të një magnitude të lartë, rreth 5.2.
Në terren kanë zbritur grupet e shpëtimit. Ajo që bëhet me dije është që ka dëmtime të mëdha në shtëpi, rrugë dhe infrastrukturë. Tërmeti ndodh në një kohë kur vendi pritet të goditet nga stuhia tropikale Grace dhe shirat e fuqishëm pritet të shkaktojnë përmbytje.
Po ashtu, Haiti ndodhet edhe mes disa krizave të tjera si ajo për ushqimin, pandemia e koronavirusit dhe vrasja e presidentit Jovenel Moise.