Moise Kean në pak më shumë se një muaj ka hedhur poshtë çdo parashikim. Nga ai djalosh me talent, i detyruar të ndiqte nga stoli “yjet” e Juventusit, 19-vjeçari sot po thyen rekorde. Goli i shënuar ndaj Milanit e ka shndërruar në sulmuesin me përqindjen më të lartë realizuese (42%) në kampionatet më të rëndësishme europiane. Për ta bërë më të qartë, Kean shënon gol thuajse në çdo dy gjuajtje në portë.
Ndaj Milanit preku fushën e blertë në minutën e 66-të dhe iu nevojitën vetëm 18 minuta lojë për të mposhtur Reinën, duke shënuar golin e pestë në 7 ndeshje të Serisë A ku është aktivizuar.
Një tjetër hap përpara në një tjetër statistikë ku mban rekordin: sulmuesi përfaqësueses italianë shënon çdo 42 minuta. Edhe në këtë statistikë nuk ka konkurrentë në Europë (duke marrë në konsideratë lojtarët që kanë shënuar të paktën 2 gola). Nëse merren në konsideratë edhe ndeshjet e Kupës, mesatarja e tij është gol në çdo 53 minuta (6 finalizime në 10 takime).
Nuk duhen harruar edhe dy golat me fanellën e Italisë, në tri ndeshjet e tij të para kundër Finlandës, Liechtenstein dhe Shteteve të Bashkuara. Në total, Kean numëron 8 gola në 13 ndeshje gjithsej. Jo keq për një lojtar, duke marrë parasysh faktin që sezoni i tij ka nisur vetëm një muaj më parë dhe mund të aktivizohet edhe në 9 deri 12 takime deri në fund.