Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria sot është më e sigurt sa i përket krimit të rrugës siç ai u shpreh, por tha se fokusi i qeverisë do të jetë në goditjen ndaj krimit të organizuar.
Ai foli me shifra krahasimore me qeverinë e shkuar, sa i përket sekuestrimit të aseteve kriminale, ku tha se në total nga vitit 2014 janë sekuestruar 267 milionë euro, nga 33 milionë euro që vuri nën sekuestro qeveria e shkuar.
“Dëgjoj komente, po vriten njerëzit përditë. Ku janë këta? Janë në atmosferën e rënduar shumë nga fjalët, nga lajmet, por edhe nga negativiteti i përgjithshëm i lajmeve. Para dy ditësh hapa një nga portalet, dhe kishte një titull 5 policë të vrarë, natyrisht që ata nuk ishin vrarë në Shqipëri. Por të gjithë këto së bashku krijojnë ndjesi të rëndë perceptimi. Numri i vrasjeve në Shqipëri ka ardhur me këtë trend. Në kohën e atyre që sot na flasin për krime, ishte mbi 100, janë vrarë 126 veta, që i bie thuajse 1 në 2 ditë gjatë gjithë vitit, në vitin 2012. Sot jemi në shifrën më të ulët, ka edhe një muaj, por jemi në shifrën më të ulët.
Shqipëria është shumë më e sigurt seç ishte dje, se nuk po flasim për krimin e rrugës sot, po flasim për krimin e organizuar.
Të vijmë tek asetet e sekuestruara. Ne nuk jemi parti politike e rënë nga qielli. Ne jemi parti politike që nga dita e parë e pluralizmit në një Shqipëri që ka qenë shumë komplekse. Shikoni asetet kriminale të sekuestruara, është domethënëse. 1.7 milionë euro sekuestro në vitin 2013. Në këtë vit që s’ka mbaruar akoma, jemi në shifrën 87.9 milionë euro. Për pastrim parash, anti-mafie, krim të organizuar, në vitet e tyre në total janë 33 milionë euro. Sot që flasim, nga 2014-ta janë 267 milionë euro.
Ndjekjet penale për korrupsion. 2013 me 2018-ën, dyfish ndjekje penale”, u shpreh shefi i mazhorancës.