Në kuadër të operacionit policor të koduar “Parts 28” janë vënë në pranga 7 persona që vepronin si grup kriminal (5 të huaj dhe 2 shqiptarë) pasi shisnin doza droge në një festival në Delisuf të Vlorës.
“Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Vlorë finalizoi operacionin policor antidrogë të koduar “Parts 28”, gjatë të cilit shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë në perimetrin ku zhvillohej festivali dhe arritën të kapnin dhe të vinin në pranga shtetasit:
A. S., 37 vjeç, banues në Poloni; P. O., 38 vjeç, banues në Hungari; Ch. G., 27 vjeç, banues në Itali; G. M., 20 vjeçe, banuese në Itali; P. S., 43 vjeç, banues në Çeki; S. S., 20 vjeç, banues në Tiranë; F. K., 27 vjeç, banues në Kosovë”, njofton policia.
Këta persona vepronin si grup duke siguruar droga të ndryshme, të cilat i ndanin në doza dhe ua shisnin turistëve dhe pushuesve që po ndiqnin festivalin e organizuar në plazhin e Delisufit, Vlorë.
Me cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi doza dhe tableta të lëndëve narkotike kokainë, MDMA, ekstazi, LSD dhe kanabis, 1800 euro të përfituara nga kjo veprimtari kriminale dhe 2 automjete.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.