Në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Tempulli” janë vënë në pranga 8 persona, të cilët shisnin lëndë narkotike në afërsi të lokaleve të natës në Tiranë.
Si rezultat, u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit: Kol Braçi 33 vjeç, Orgito Idrizi 18 vjeç, Helson Gjabri 19 vjeç, Arjan Domi 42 vjeç, Endrit Kotorri 35 vjeç, Elvi Zani 19 vjeç, dhe 2 të mitur të moshës 17 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.
Gjatë kontrolleve fizike dhe të automjeteve të të arrestuarve, shërbimet e Policisë gjetën rreth 160 doza me lëndë narkotike kokainë, dhjetëra doza kanabisi dhe shuma parash të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.
Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se ata e siguronin lëndën narkotike në sasi dhe pasi e ndanin në doza, i shitnin ato në afërsi të lokaleve të natës të ndryshme në Tiranë.
Rreth 160 doza lënde narkotike kokainë, dhjetëra doza kanabisi, e shuma të ndryshme parash u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.