Katër persona janë arrestuar dhe 3 të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë pas një aksioni të koduar “Blloku” nga uniformat blu të Tiranës për shitjen e lëndëve narkotike.
Në një lokal në zonën e ish-bllokut në kryeqytet, u zbulua aktiviteti kriminal i shitjes së kokainës. Të arrestuarit janë pronari i lokalit, O.P. 38 vjeç, administratori i këtij biznesi, A.A. 22 vjeç, si dhe kamarieri e një klient. Gjatë kontrollit të befasishëm në këtë lokal, të kryer me leje nga Gjykata e Tiranës, u gjetën doza kokaine. Policia kishte marrë informacione se në këtë biznes pronari po kryente shpërndarje kokaine tek disa klientë. Për të ushtruar këtë aktivitet kriminal, pronari përdorte banakierin dhe kamarierin, të cilët mbanin kontakte të herë pas hershme me klientët e këtij lokali.
Gjatë kontrollit të ushtuar, dy klientëve u është gjetur nga një dozë kokaine. Në pjesën e fundit të banakut, në një ambient të veçuar, u gjetën mbetje lëndë pluhur e bardhë e dyshuar si kokainë. Në momentin e kontrollit nga policia, kamarieri i lokalit ka hedhur në tokë një kuti shkrepse me katër doza kokainë.
Në pjesën para banakut të lokalit është gjetur një qese brenda së cilës ishte një patentë me emrin e shtetasit E. H., klient në lokal, dhe një thikë me palosje e cila ishte hedhur në dysheme. Gjithashtu janë gjetur dhe sekuestruar edhe 9 fishekë luftarak. Ndërkohë që 3 persona të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për shitje të lëndëve narkotike dhe mbajtje pa leje të municioneve.