Ka rënë në prangat e policisë Tiranë një futbollist 21-vjeçar i quajtur Yvan Zouzou. Sipas uniformave blu, i riu në bashkëpunim me dy persona të tjerë siguronte viza turistike false.
Më pas ua shiste ato kryesisht shtetasve të huaj nga Lindja e Mesme për të hyrë në Shqipëri.
“Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, operacioni policor i koduar “Viza”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, kundrejt pagesës. Ndalohet një 21-vjeçar (futbollist), i cili siguronte viza turistike të falsifikuara, për shtetas të huaj, me qëllim hyrjen në Shqipëri dhe më pas kalimin në mënyrë të paligjshme në vendet e BE-së.
Procedohen penalisht 2 shtetas të tjerë, pasi dyshohet se ndihmonin 21-vjeçarin.
Sekuestrohen 13 viza të dyshuara të falsifikuara, mandate transfertash, dokumente të tjera dhe 2 celularë. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve me vendet e BE-së, nëpërmjet tranzitimit në territorin shqiptar, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë goditur një rast të kësaj veprimtarie kriminale, në kuadër të operacionit policor të koduar “Viza”. Gjatë operacionit u ndalua shtetasi Y. Z., 21 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasit Sh. S., 43 vjeç, banues në Tiranë, dhe I. B., 27 vjeç, banues në Gjermani.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi Y. Z. siguronte viza të dyshuara të falsifikuara, kundrejt pagesës, për shtetas të huaj, kryesisht nga Lindja e Mesme, për të hyrë në Shqipëri, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve me vendet fqinje, për të kaluar më pas në shtetet e tjera të BE-së. Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit Sh. S. dhe I. B., të cilët dyshohet se ndihmonin 21-vjeçarin, në këtë veprimtari kriminale. Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, thuhet në njoftimin e policisë.
Zouzou është lojtar te skuadra sportive e kategorisë së dytë e quajtur “Albanët”.
Ai është me origjinë nga Bregu i Fildishtë, ndërsa aktualisht jeton në Tiranë.