Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka mbyllur përfundimisht historinë e bashkëpunimit me Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Në Asamblenë e PS, Edi Rama pranoi se ka mbrojtur dhe ka kërkuar dy herë bashkimin e PS dhe LSI.
Por, sipas tij, kjo gjë nuk mund të ndodhë. Rama ka bërë akuza të forta në adresë të LSI, duke thënë se ka përfituar në kurriz të dy partive më të mëdha, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.
“Unë kam qenë partizan i bashkimit me LSI, kam qenë partizan i bashkimit të të majtës. Kam besuar që kjo ishte rruga e duhur për të krijuar një pol të fuqishëm qeverisës. Dhe ajo që kam mësuar ka qenë që të dyja herët problemi është zmadhuar deri sa është bërë eksploziv si rezultat i një fakti të thjeshtë: PS, edhe PD, është një parti e madhe që ka përgjegjësinë qeverisëse në opozitë apo në pushtet. LSI nuk ka lidhje me përgjegjësinë qeverisëse. LSI do të jetë pjesë e qeverisë për t’u rritur në kurriz të shtetit.
Dhe ‘bomba’ që hodhi në erë koalicionin me LSI ka qenë Reforma në Drejtësi. E dini shumë mirë që aty ndarja është bërë e pariparueshme. Sepse LSI është krijuar për të marrë sa më shumë pushtet duke marrë peng njërin nga dy të mëdhenjtë. Është krijuar për këtë. Ka lindur si një forcë hakmarrëse. Ka përfituar nga degradimi i PS, ka përfituar nga një boshllëk i krijuar nga vetë PS, ka përfituar nga pakënaqësia e krijuar brenda PS dhe është rritur në kurriz të PS dhe të PD. LSI është e krijuar për këtë.
Është një organizatë e cila funksionon vetëm me këtë parim. Njësoj si qelizat e kancerit për të cilat thuhet se rriten pa qëllim. Dhe në fakt shtohen vetëm për ta vdekur organizmin që kapin. Me LSI nuk ka mundësi të bëhet më shumë se ç’kemi bërë në mandatin e parë. Patjetër nuk i heq asnjë presje atyre që kam thënë më parë. Kam qenë partizan dy herë i bashkimit me LSI dhe falë atij koalicioni për shkak të numrave kemi bërë shumë gjëra. Kemi dhënë atë që çdo parti detyrohen të japin kur janë me LSI, një pjesë të shpirtit. Do detyrohesh ta pranosh përndryshe s’bën dot as atë pjesë të gjërave”, është shprehur kryesocialisti.
Sa i përket zgjedhjeve të 25 Prillit 2021, Kryeministri Edi Rama deklaroi se PS do të bëjë koalicion vetëm me qytetarët dhe u zotua se forca politike që ai drejton do të fitojë e vetme zgjedhjet për herë të tretë.
“Aleati ynë janë njerëzit, koalicioni ynë janë njerëzit. Së bashku me shumicën e shqiptarëve ne do t’i lëmë mbrapa më shumë se asnjëherë tjetër, mbajeni mend fjalën time sot, do t’i lëmë mbrapa të gjitha forcat që duan të na tërheqin ne mbrapsht”.