Policia e Kamzës ka arrestuar dy vëllezër kosovarë, banues në Finlandë, të cilët bënë kallëzim të rremë për vjedhjen e automjetit të tyre luksoz tip BMW X6, me qëllim përfitimin e siguracionit.
Bëhet me dije se në lidhje me këtë rast janë proceduar penalisht dhe dy shtetas të tjerë, të cilët ishin blerësit e automjetit.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 6800 euro dhe pjesët e automjetit BMW X6, të cilat ishin çmontuar në një pikë servisi në Kavajë.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Ndërkohë vijon puna intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjeve të tjera të ndodhura, të kësaj natyre kriminale.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në çdo formë të saj, pas kallëzimit të marrë nga dy shtetas, për vjedhjen e automjetit të tyre, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Insurance”.
Si rezultat i tij u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve S. G., 27 vjeç, dhe B. G., 21 vjeç, të banues në Finlandë. Gjithashtu u proceduan penalisht shtetasit V. K., 49 vjeç, dhe I. K., 24 vjeç, të dy banues në Kavajë.
Dy vëllezërit (S. G., dhe B. G.) kanë bërë kallëzim të rremë për vjedhjen e automjetit të tyre BMW X6, të cilin e kanë shitur te shtetasit V. K., dhe I. K., me qëllim përfitimin e siguracionit të automjetit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 6800 euro dhe pjesët e automjetit që janë gjetur në një pikë shitjesh automjetesh, në Kavajë”, njofton policia.