Aktualitet Shkaktoi aksidentin ku humbi jetën 18-vjeçari, arrestohet shoferi 21-vjeçar në Librazhd

Shkaktoi aksidentin ku humbi jetën 18-vjeçari, arrestohet shoferi 21-vjeçar në Librazhd

Një aksident i rëndë ndodhi mbrëmjen e së dielës në aksin Librazhd-Prrenjas, ku humbi jetën 18-vjeçari Dorian Belba. Ai po udhëtonte bashkë me shokët e tij.

Policia njofton se ka vënë në pranga shoferin 21-vjeçar, Meglind Zeneli, pasi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e makinës dhe për pasojë mjeti ka dalë nga rruga.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një aksident rrugor në aksin “Librazhd-Prrenjas”, ju informojmë se specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin Meglind Zeneli, 21 vjeç, banues në fshatin Qukës, Librazhd, pasi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për këtë shkak automjeti ka dalë nga rruga. Për pasojë humbi jetën njëri nga pasagjerët e këtij automjeti, shtetasi Dorian Belba, si dhe kanë mbetur të dëmtuar 2 pasagjerët e tjerë dhe drejtuesi i automjetit, të cilët janë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi policia.

Të plagosur nga kjo ngjarje kanë mbetur edhe Gerald  Verçani 19 vjeç, Janikos Shyti 20 vjeç.