Një zyrtar i lartë i Pentagonit bëri me dije se plani i mëparshëm për të vaksinuar të dënuarit në burgun e Guantanamos është pezulluar.
Sekretari i shtypit në Pentagon, John Kirby bëri të ditur përmes një postimi në Twitter se asnjë i dënuar në Gjirin e Guantanamo nuk e ka marrë vaksinën kundër Covid-19 dhe njoftoi se Departamenti i Mbrojtjes është “duke e ndalur planin për të ecur përpara”
CNN kishte raportuar më herët se për Forcat e Armatosura të SHBA dhe të dënuarit në Gjirin e Guantanamos u dha autorizimi për të marrë vaksinën Covid-19 më 27 Janar nga një dokument nga Zëvendës Ndihmësi Kryesor i Sekretarit të Mbrojtjes për Çështjet Shëndetësore, Terry Adirim.
Një prej emrave më famëkeq që ndodhen në burg është Khalid Sheikh Mohammed, i konsideruar si organizatori i sulmeve të 11 Shtatorit, ku humbën jetën 2976 amerikanë. Figura të tjera të terrorizmit islamik që qëndrojnë pas hekurave atje janë Encep Nurjaman, Mohammed Nazir Bin Lep dhe Mohammed Farik Bin Amin, të tre pjesëtarë të grupit ekstremist Jemaah Islamiyah, degë e Al-Qaedas në Azinë Juglindore.
Vendimi për të vaksinuar të dënuarit e Guantanamos shkaktoi një reagim të menjëhershëm në Shtetet e Bashkuara, ku janë ende miliona vetë që nuk janë vaksinuar kundër koronavirusit.
Tom Von Essen, i cili ka qenë shefi i Zjarrfikësve të Nju-Jorkut në kohën e sulmeve tha: “Ky vendim i qeverisë është qesharak, edhe sikur të duash, nuk i shpik dot këto vendime”.