Steve Bannon, ish-planifikuesi i fushatës elektorale të Donald Trump, ka deklaruar në një intervistë të fundit për CBS se shkarkimi prej presidentit amerikan, i ish-shefit të Byrosë Federale të Hetimit, James Comey, mund të konsiderohet si gabimi më i madh në historinë e politikës moderne. Bannon nuk dha më shumë detaje pse ka arritur në këtë përfundim, por duket se vendimet e Trump me kreun e FBI-së kanë sjellë pështjellime të mëdha.
Comey u shkarkua në muajin maj dhe ai e mori lajmin nga mediat, një tjetër sjellje e paprecedentë kjo. Nuk u dha ndonjë arsye e qartë për shkarkimin e tij. Në fillim u tha se shkarkimi erdhi pas një rekomandimi nga zv.prokurori i Përgjithshëm, Rod Rosenstein, pas hetimit të skandalit të emaileve të Hillary Clinton, e cila gjatë detyës si sekretare e Shtetit kishte përdorur servera privatë. Comey në fillim konkludoi se nuk kishte bazë për hetim penal, por mandej në fazën më kritike të fushatës, ai rivlerësoi vendimin e tij. Clinton deklaroi më pas se WikiLeaks dhe Comey provokuan humbjen e saj në zgjedhjet presidenciale përballë Trump. Më vonë ky i fundit deklaroi se kishte vendosir shkarkimin para rekomandimit duke e lidhur me çështjen e depërtimit rus në zgjedhje. Zëdhënësja Sanders tha hapur se “presidenti humbi besimin te Comey”, ndërkohë që vetë ish-shefi i FBI-së do të theksonte se i ishte kërkuar besnikëri nga Trump.
Sipas Bannon ishte vendim për shkarkimin e Comey që solli hetimin e tanishëm për çështjen ruse që drejtohet nga i ngarkuari i Posaçëm, Robert Mueller. E gjitha një mbingarkesë negative politike që sipas tij nuk do të nxjerrë gjë në dritë për hetim penal.
“Është humbje kohe”, tha ai.