Shkarkimi i drejtuesit të kontrollorëve në Ministrinë e Jashtme amerikane ka shkaktuar debate të mëdha. Demokratët shtojnë presionin ndaj presidentit Trump.
Demokratë të nivelit të lartë politik në Kongresin amerikan duan të sqarojnë deri në fund shkarkimin e Steve Linick nga presidenti Donald Trump. Linick ka qenë kontrollor i Ministrisë së Jashtme. Demokratët mendojnë se shkarkimi është politikisht i motivuar. Kryetari i Komisionit të Jashtëm parlamentar, Eliot Engel dhe Bob Menendez, anëtar i Komisionit të Jashtëm në Senat janë ndër ata që kanë kërkuar shpjegime të menjëhershme. Portali Politico dhe rrjeti televiziv CNN bëjnë të ditur se Trumpi e ka informuar për këtë shkarkim edhe kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, demokraten Nancy Pelosi, në orët e vona të natës.
“Akt i hakmarrjes”
Engel ka kritikuar Trumpin se me këtë shkarkim ka për synim mbrojtjen e ministrit të Jashtëm Mike Pompeo, “një mbështetës të tij luajal”. Një masë e këtillë “është në kundërshtim me bazat e institucioneve tona demokratike”, pohon Engel. Demokratët kanë marrë vesh se zyra e Linickut po zhvillonte hetime kundër ministrit të Jashtëm Pompeo. “Shkarkimi i zotit Linick në mes të këtyre hetimeve dëshmon se ky është një akt hakmarrjeje.”
Engel dhe Menendez kanë kërkuar nga Shtëpia e Bardhë, Linicku dhe Ministria e Jashtme që të publikojnë të gjitha të dhënat për këtë shkarkim. Në veçanti janë kërkuar të dhënat nga hetimet e deritanishme dhe shpjegime pse Linick është shkarkuar pikërisht tani. Ata kanë kërkuar shpjegime edhe për emërimin e Stephen Akard në këtë post, i cili konsiderohet si i besueshëm i nënkryetarit Mike Pence.
Pompeo ka angazhuar bashkëpunëtorët për çështje private?
Demokratët nuk kanë publikuar të dhëna për kritikat ndaj ministrit Pompeo. Televizionet CNN dhe NBC njoftojnë se Linick po hetonte, nëse Pompeo ka obliguar një bashkëpunëtor për punë private të tij dhe të bashkëshortes.
Linick, i cili një kohë të gjatë ka punuar edhe në Prokurorinë Federale, është emëruar në vitin 2013 nga ish-presidenti Barack Obama në këtë post. Pelosi ka kritikuar marrjen e vendimit në mes të natës, si një shembull i rrezikshëm i dënimit të një zyrtari. Linicku nuk ka luajtur asnjë rol në procesin për shkarkimin e presidentit Trump, njofton CNN. Trumpi në këtë proces dyshohet të ketë kërkuar nga qeveria ukrainase që të publikojë të dhëna kompromituese për kandidatin e demokratëve në garën presidenciale, Joe Biden. Në shkurt Trumpi është shpallur i lirë nga shumica republikane në Senat.
Shkarkimet e Trumpit
Gazeta “Washington Post” shkruan se seria e shkarkimeve të fundit mund të komentohet edhe si një fushatë e Trumpit. Presidenti ka shkarkuar muajin e kaluar inspektorin e përgjithshëm të shërbimeve sekrete, Michael Atkinson. Shkarkimi ka ndodhur po ashtu të premten në orët e vona. Ngjashëm ka ndodhur edhe me inspektorin e Ministrisë së Shëndetësisë, Christi Grimm.
Atkinson ka luajtur një rol qendror në aferën e Ukrainës kundër Trumpit. Pas lirimit të Trumpit, ai ka shkarkuar edhe ekspertin për siguri në Shtëpinë e Bardhë, Alexander Vindman dhe ambasadorin amerikan në BE, Gordon Sondland. Të dy ata kanë dëshmuar kundër presidentit në Kongres. Për shkak të rolit të tij në këtë aferë është shkarkuar edhe John Rood, sekretar shteti në Ministrinë e Mbrojtjes./DW