Politika Shkarkimi i Presidentit, cili është neni i Kushtetutës që sipas PS ka...

Shkarkimi i Presidentit, cili është neni i Kushtetutës që sipas PS ka shkelur Ilir Meta

Partia Socialiste ka nisur punën për të mbledhur firmat për shkarkimin e presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Në telefonin e deputetëve aktualë ka mbërritur një mesazh i dërguar nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ku thuhet se “Bazuar në disa shkelje të rënda të Kushtetutës sipas parashikimeve të nenit 90, nga ana e Presidentit Ilir Meta përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore, në konsultim me Kryesinë e Grupit Parlamentar kemi vendosur të iniciojmë Procedurën e Shkarkimit të Presidentit të Republikës. Për këtë qëllim ju lutem siguroni prezencën tuaj pranë Zyrës së Grupit Parlamentar për të firmosur propozimin për shkarkimin e presidentit”.

Por çfarë parashikon neni 90 i Kushtetutës?

“Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra”, thuhet në këtë nen.

Vetë kreu i shtetit e cilësoi këtë nismë, si përpjekje për të larguar vëmendjen nga problemet që u vunë re gjatë procesit zgjedhor

“Përpjekjet për të hedhur shashka, që të merremi me shashka dhe ndërkohë të vazhdojnë historitë me krimin zgjedhor janë të dëshpëruar. Konferencën e fundit për shtyp e kemi më 24 korrik 2022 këtu”, theksoi Meta.

Parlamenti do të mblidhet ditën e marte të javës që vjen, por në rendin e ditës të firmosur nga Gramoz Ruçi nuk është parashikuar çështja e shkarkimit të kreut të shtetit.

Kjo është hera e dytë që maxhoranca socialiste ndërmerr nismë për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.