Presidenti Ilir Meta i ka qëndruar vendimeve dhe opinioneve të tij në lidhje me kompetencat e Presidentit në raport me Kushtetutën.
Meta tha për Abc News se është i detyruar ti drejtohet Komisioni i Venecias, pasi Kuvendi ka vënë në diskutim kompetencat e Presidentit, dhe si e tillë, edhe Presidenti duhet ti drejtohet Venecias në lidhje me parlamentin.
Po ashtu Presidenti u shpreh se, nuk kishte asnjë forcë në botë, që mund ti bënte presion, në raport me ligjin, dhe bindjet e tij politike.
Meta theksoi gjithashtu se Kuvendi, edhe tani pas 3 javëve, nuk ka bërë ende publik, të gjithë parashtrimin apo komunikimin zyrtar, të Kuvendit me Komisionin e Venecias.
Pjesë nga intervista:
Për çfarë do ta pyesni Komisionin e Venecias, tani pas shtesës së re të hetimit të objektit?
Nuk ka qenë qëllimi im për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias. Por për shkak se Parlamenti ka ndërmarrë një nismë të tillë për të vënë në diskutim sipas tij, kompetencën kushtetuese të Presidentit të Republikës, edhe unë isha i detyruar, për të bërë të njëjtën gjë për Parlamentin.
Në qoftë se do të ishit e vëmendshme, Kuvendi ende, edhe pas më shumë se sa tri javë, edhe pse presupozohet se është institucion i përbërë nga forca të ndryshme politike, një institucion transparent dhe jo monokratik, ende nuk ka publikuar të gjithë parashtrimin apo komunikimin zyrtar të Kuvendit me Komisionin e Venecias.
Komisioni i Venecias është i detyruar të vihet në lëvizje nga ana procedurale sa herë që një parlament ia kërkon, por në rastin konkret kemi të bëjmë me një situatë absurde për arsye sepse nuk kemi se çfarë t’i interpretojmë Kushtetutës kur Kushtetuta e ka shprehur shumë qartë se si ndërtohet Gjykata Kushtetuese, pra e balancuar: tre anëtarë zgjidhen prej Presidentit, tre nga parlamenti, tre nga Gjykata e Lartë. Jo vetëm kaq, por edhe në një radhë të përcaktuar në Kushtetutë. Presidenti emërimin e parë, parlamenti emërimin e dytë, Gjykata e Lartë të tretin dhe pastaj përsëri në këtë mënyrë.
A mendoni se po fitojnë kohë? Për faktin se nuk duan të bëjnë shkarkimin tuaj, por po e përdorin si një mjet për t’ju bërë presion?
Së pari nuk ekziston mundësia nga asnjë fuqi në botë që të më bëjë mua presion në raport me Kushtetutën, në raport me ligjin dhe në raport me bindjet e mia politike.
Apo nuk e kanë seriozisht?
Kjo vetëm tregon se sa jo serioze është situata në raport me funksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Komisioni i Venecias e tha shumë qartë herën e parë se pretendimet e Kuvendit nuk hyjnë kurrsesi në ato raste kur Presidenti mund të hetohet apo të shkarkohet. Kjo është tepër e qartë.
Dëshira e tyre është thjesht një vetëdemaskim se ku qëndron burimi i të gjithë krizës institucionale dhe demokracisë në Shqipëri.
Në këtë vend, ku kemi një kontroll absolut nga vetëm një parti,të Kuvendit, të pushtetit vendor, të shumicës së gjithë institucioneve të pavarura të kontrolluara nga ky kuvend, dhe një kontroll të plotë të të gjitha instrumenteve të vetting-ut dhe realisht të zbatimit apo të keq zbatimit të vetë reformës në drejtësi, kemi një pengesë që është Presidenti i Republikës, që është një institucion i pavarur dhe njëkohësisht i patrembur.
Ndryshe paraqitet situata nga kampi tjetër. Në fakt ju keni këtë situatë në parlamentin me mazhorancës.
Unë e kam situatën shumë të thjeshtë, sepse unë i referohem Kushtetutës dhe vetëm Kushtetutës.
Në çdo rast mund t’jua tregoj në Kushtetutë se të gjitha veprimet e Presidentit janë mjaft solide.
Është Presidenti ai, i cili ka kërkuar bashkëpunim me Kuvendin dhe kjo është e dokumentuar zyrtarisht.
Janë disa shkresa, disa qëndrime publike, janë të gjitha të dokumentuara dhe zyrtare, ku Presidenti i kërkon Parlamentit bashkëpunim që të dyja institucionet të mos përplasen, por të respektojnë Kushtetutën dhe të mos dëmtojnë besueshmërinë e vetë Gjykatës Kushtetuese.
Siç e dimë, nuk ka pasur asnjë përgjigje nga ana e Parlamentit.
Është Presidenti që i ka kërkuar KED-së, dhe në veçanti kryetarit të KED-së, i cili nuk ka asnjë kompetencë nga ato për të cilat ai është kallëzuar penalisht në Prokurori, që të respektojë Kushtetutën, të respektojë radhën kushtetuese të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, gjithashtu që të kryejë detyrat e tij që ta ndihmojë Presidentin të mos e shkelë Kushtetutën. Të njëjtën gjë të mos e bëjë as parlamenti dhe askush tjetër në interes të një procesi legjitim dhe të besueshëm të krijimit të Gjykatës Kushtetuese.
Pra, Presidenti i Republikës gjithmonë ka kërkuar, i ka paraprirë dhe ka bërë gjithçka për të evituar përplasjet dhe për të mos u vendosur as vetë në një pozitë të vështirë në raport me Kushtetutën dhe ligjin, por as institucionet e tjera në këtë rast, që të mos bëjnë një dëm të tillë, i cili tashmë është bërë, jo për faj të Presidentit.