Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Gjovalin Përnocën.
Seanca dëgjimore ndaj gjyqtarit Përnoca u zhvillua më 10 shtator.
Ai u përball me Vetingun për tre kriteret klasike të vlerësimit, atë të ligjshmërisë së pasurisë, kriterin etik dhe profesional.
Trupa gjykuese ishte e përbërë nga Xhensila Pine, Suela Zhegu dhe Olsi Komici.
Shtyrja e seancës së parë dëgjimore
Më 30 korrik Përnoca kërkoi më shumë kohë për të siguruar edhe 7 prova për të cilat deklaroi se i konsideronte vendimtare.
Ai tha se kishte qenë e pamundur ti siguronte gjithë provat në funksion të gjetjeve të Komisionit, pasi i duhej të kërkonte dokumente për një periudhë mjaft të gjatë kohore dhe se kishte qenë tepër i angazhuar për shkak të funksionit si gjyqtar.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, pranoi kërkesën e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda dhe seanca u mbajt më 10 shtator.
Karriera
Gjovalin Përnoca ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, ku ka shërbyer fillimisht si gjyqtar në Mirditë dhe Shkodër dhe për 4 vjet si inspektor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Në vitin 2003, Përnoca është zgjedhur gjyqtar i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, detyrë të cilën e ka ushtruar tashmë prej 15 vitesh.
Përnoca ka qenë gjithashtu edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe është dekretuar nga Presidenti i Republikës për Gjykatën e Lartë, pa mundur që të zgjidhet më pas në Parlament.