Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin Arjan Ndoja.
Arjan Ndoja nuk e ka kaluar shkallën e parë të Vettingut pasi iu gjetën shkelje në dy shtyllat kryesore atë të pastërtisë së figurës dhe të pasurisë.
Prokurori i Durrësit u shkarkua me vota unanime. Pas seancës të KPK, Ndoja nënkuptoi se do e ankimojë vendimin në Gjykatën e Strasburgut.
Arjan Ndoja: Është rasti që avokatja ime edhe pse e re në moshë të bëjë karrierë me këtë rast. Do pres edhe një biletë për Strasburg.
Pyetja: Zoti Ndoja e konsideroni një shkarkim me motive politike?
Arjan Ndoja: Pas bubullimave shiu pritet! Punë të mbarë!
Prokurori Ndoja ka rënë pre e një atentati mafioz me armë në autostradën Tiranë-Durrës më 1 Nëntor 2019.
DSIK, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, gjatë seancës dëgjimore në KPK, deklaroi se prokurori Arjan Ndoja dyshohet të ketë favorizuar persona me precedent penal.
DSIK tha se në vitet 2009 dhe 2010, Ndoja ka patur kontakte me persona të përfshirë në korrupsion.
Sa i përket atentatit ndaj tij ku në makinë ishte së bashku me Aleksandër Lahon dhe shoferin e tij që mbeti i vrarë Andi Maloku, prokurori Arjan Ndoja tha se “atentati ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes së qeverisë”.