Bota Shkatërrohet banda e ‘Ndragheta-s në Milano, në pranga edhe një murgeshë

Shkatërrohet banda e ‘Ndragheta-s në Milano, në pranga edhe një murgeshë

25 persona u vunë në pranga mëngjesin e së enjtes në Milano të Italisë, të akuzuar për krime të ndryshme mafioze si trafik droge, grabitje, pastrim parash etj… Siç shkruan CNN, mes të arrestuarve është edhe një murgeshë katolike, pjesë e “Institutit të Motrave Bamirëse” në Milano.

57-vjeçarja, Anna Donelli është e njohur nga të burgosurit atje si “Motra Collina” sepse ka shërbyer vullnetarisht në disa burgje të Brescia-s. E në fakt, sipas policisë, ajo ka dhënë shumë më tepër se thjesht bekime për ata në qeli.

Donelli akuzohet si “ndërmjetëse” mes kriminelëve të lirë dhe atyre në qeli, duke dalë krejtësisht nga roli i saj spiritual. Ajo çonte mesazhe dhe urdhra në burg dhe anasjelltas, për bosat e krimit që janë pjesë e Ndranghetës. Kjo e fundit, është një organizatë kriminale me bazë në Kalabri, në jug të vendit.

“Ajo merrte direktiva e përcillte informacion, duke iu shërbyer kështu planeve kriminale”, ka deklaruar Prokurori Francesco Prete gjatë një konferencë për shtyp dje.

Në kuadër të këtij operacioni, janë sekuestruar 1.8 milion Euro. Janë dashur plot 300 oficerë të antimafies për të lokalizuar drogën dhe trafikantët. Në Bergamo, Verona dhe Treviso u gjetën lëndë narkotike dhe armë.

Përveç murgeshës, pjesë e të arrestuarve është edhe një mjek i cili ka marrë pjesë në festën e partisë së udhëhequr nga kryeministrja Giorgia Meloni. Sipas hetuesve, ai trajtonte problemet shëndetësore ose lëndimet që merrnin eksponentët e krimit në mënyrë krejt të fshehtë nga autoritetet.